(VIDEO) Gjurmë gishti dhe fotografi, nga 12 tetori rregulla të reja për hyrje në BE

(VIDEO) Gjurmë gishti dhe fotografi, nga 12 tetori rregulla të reja për hyrje në BE

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga data 12 tetor, gjatë hyrjes në zonën Shengen të Bashkimit Evropian, do të duhet të lënë të dhëna biometrike – gjurmë gishti dhe fotografi, sipas sistemit të ri të hyrje-daljes së BE-së. Sistemi i i ri, siç u theksua në një brifing në Delegacionin e BE-së në vend, do të fillojë të zbatohet gradualisht dhe do të zgjasë gjashtë muaj, pas së cilës do të zbatohet në të gjitha pikat hyrëse në zonën Shengen.

Michalis Rokas, ambasadori i BE-së

“Sistemi i hyrje-daljeve të BE-së fillon me zbatim gradual nga 12 tetori. Kjo është një masë që po merret për të forcuar sigurinë në të gjitha pikat e hyrjes në BE. Do të jetë gradual, por gjithashtu do të lehtësojë procesin e hyrjes në BE. Në praktikë, kjo do të thotë që shtetasit e vendeve të treta do të duhet të regjistrohen një herë me gjurmë gishtash dhe fotografi, por pasi kjo të jetë bërë një herë, hyrja automatike në aeroporte e kështu me radhë mund të përdoret për hyrjen tjetër”.

Ky sistem ka dy qëllime kryesor,  forcimin e sigurisë kufitare – duan të dinë kush hyn dhe kush është në zonën Shengen, si dhe të identifikohen njerëzit që hyjnë për të zvogëluar mashtrimet me identitet, por edhe për të reduktuar abuzimet me tejkalimin e lejes 90-ditore të qëndrimit. I dyti është efikasiteti dhe shpejtësia. Pasi të jetë zbatuar plotësisht, pritet që hyrja në BE të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë.

Në brifing nga zëvendësambasadori i BE-së u theksua veçanërisht edhe sistemi ETIAS, i cili do të fillojë të zbatohet në tremujorin e fundit të vitit 2026, është krejtësisht i ndryshëm nga Sistemi i hyrje-daljes në BE. Pasi të hyjë në zbatim, çdo person që udhëton në zonën Shengen pa vizë do të duhet së pari të regjistrohet online dhe të paraqesë udhëtimin e tij. Regjistrimi, sipas njoftimeve, do të kushtojë 20 euro dhe do të vlejë tre vite, përveç për personat të cilët janë nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç. Të dy sistemet janë komplementare me njëri-tjetrin dhe do të vazhdojnë të funksionojnë paralelisht.

Ndërkaq është paralajmëruar edhe sistemi EES i cili zbatohet nëse nuk jeni shtetas të BE-së që udhëtoni për qëndrim të shkurtër në një vend evropian.  Të dhënat e dokumentit tuaj të udhëtimit dhe të dhëna të tjera personale do të mblidhen, duke përfshirë datat e hyrjes dhe daljes, do të regjistrohen elektronikisht në sistem. Nëse tejkaloni periudhën e lejuar në vendet evropiane që përdorin Sistemin EES, sistemi do t’ju identifikojë dhe do të regjistrojë këtë informacion. Në rast se autoritetet ju refuzojnë hyrjen, sistemi gjithashtu do ta regjistrojë edhe këtë informacion.

Ju duhet të keni pasaportë biometrike – pasaportë që përmban një çip me informacionin tuaj biometrik të mbledhur prej jush në momentin që keni aplikuar për pasaportë. Nëse nuk keni pasaportë biometrike, nuk do të jeni në gjendje të përdorni sistemet e vetëshërbimit.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING