(VIDEO) Gjetjet e komisionit, dhjetë pacientëve u janë kryer operacione në zemër pa pasur nevojë
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me anëtarët e komisionit të brendshëm për intervenime kardiologjike dhe kardiokirurgjikale tha se analizat e të dhënave të pacientëve që janë dërguar ose operuar për sëmundje koronare dhe vaskulare periferike në të gjitha institucionet shtetërore dhe private në vendin tonë tregojnë se 10 nga 19 operacionet e kryera janë bërë pa nevojë.
Azir Aliu, Ministri i Shëndetësisë
“Siç prisja, komisioni ka ofruar rezultate objektive, të bazuara në procese profesionale, shkencore dhe të pavarur. Komisionit i janë dorëzuar gjithësej 25 raste nga të cilat u konstatua se 6 nga ato raste duhet t’i përcjellen Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor pasi komisioni nuk ka kompetencë për to. Janë analizuar 19 raste, dhe nga ato 19 raste 10 prej tyre komisioni ka konstatuar se operacionet janë kryer pa nevojë ose pacientët janë referuar për operacion pa indikacione të mjaftueshme”.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, dr. Zharko Hristovski, sqaroi se puna e komisionit është përcaktuar si analizë e të dhënave të pacientëve që janë referuar ose operuar për sëmundje koronare dhe vaskulare periferike në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private që veprojnë në këtë fushë. Ai shtoi se në këtë fazë fillestare ata analizuan vetëm nevojën për revaskularizim, pra ndërhyrje tek pacientët me sëmundje vaskulare. Ai njoftoi se do të vijojnë aktivitete shtesë.
Sinkron: dr. Zharko Hristovski, kryesues i komisionit
“Tek 10 pacientë, përcaktuam se gjetëm një indikacion tepër të gjerë. Faza e dytë është të hyjmë në klinika, të kryejmë analiza shtesë dhe të miratojmë një strategji të përshtatshme. Kur të arrijmë në një vlerësim përfundimtar të secilit rast, informacioni do t’u dorëzohet institucioneve kompetente. Do të kemi informacion të kufizuar, ky është informacion i mjaftueshëm për momentin për të vazhduar më tej. Ky është një raport fillestar, dhe ai përfundimtar do të vijë pas analizës së plotë”.
Hristovski shtoi se pas analizimit të dokumentacionit të plotë do të marin konkluzione prej ku do të dalin hapa strategjik që do ta përmirësojnë mbrojtjen shëndetësore për qytetarët e vendit.
Ndërkaq ministri Aliu theksoi se ky është raport prereleminar dhe pritet faza e dytë që do të jetë me 3 ekspertë të jashtëm që më pas, pas përfundimit të analizave nga komisioni do të japin informacione më të hollësishme me raport final. Sipas Aliut, ky raport do të jetë udhërrëfyes për kufizimin e politikave në këtë pjesë të sistemit shëndetësor në vend.
Anida Murati /SHENJA/

