(VIDEO) Gjendja me mbeturinat në Shkup alarmante

(VIDEO) Gjendja me mbeturinat në Shkup alarmante

Tashmë edhe minjtë po shihen rrugëve të Shkupit, një pamje e trishtë që flet vetë për krizën e thellë higjienike në të cilën ndodhet kryeqyteti. E gjithë kjo për shkak të paralizimit të shërbimeve komunale. Rrugët, trotuaret dhe hapësirat publike janë mbuluar me grumbuj të mëdhenj mbeturinash, që dita-ditës po kthehen në “male plehrash” në zemër të qytetit.

Era e rëndë,si dhe pamjet e tmerrshme të rrugëve dhe trotuareve po shoqërojnë çdo lagje. Banorët vazhdimisht ankohen dhe thonë se kjo gjendje tashmë është bërë alarmante. Thasë të mbeturinave qëndrojnë të hapur për ditë të tëra, ku dhe insekte të shumta janë shfaqur  dhe po pranë tyre qytetarët detyrohen të kalojnë çdo ditë.

Në anën tjetër, institucionet heshtin. As Ndërmarrja Komunale e Higjienës, as Qyteti e Shkupit, nuk japin përgjigje të qarta se kush e mban përgjegjësinë për këtë gjendje kaotike. Sabahadin Rustemi, drejtor i Higjienës Komunale ka theksuar se aktivitetet e  ndërmarrjes publike kryhen në përputhje me programin për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave nga territori i qytetit të Shkupit, por sipas Rustemit, në muajt e fundit ka pasur probleme me një numër të madh të automjeteve komunale të cilat janë të vjetruara dhe të prishura. Gjithashtu, ai bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit, disa shoferë nuk kanë ardhur në punë pa dhënë asnjë arsyetim.

Sipas Rustemit, mungesa në punë dyshohet të ketë prapavijë politike, me qëllim uljen e efektivitetit të kryerjes së aktiviteteve të ndërmarrjes në terren. Po ashtu, nga Higjiena Komunale thanë se në periudhën e fundit ndërmarrja është përballur edhe me sasi jashtëzakonisht të rritur të mbetjeve komunale, të vëllimshme dhe të ndërtimit të hedhura në sipërfaqet publike dhe të trafikut. Për këto arsye, mund të ketë vonesa në mbledhjen dhe transportimin e mbetjes në vende të caktuara. Ankesa për punën e komunales vijnë edhe nga Bordi Ekzekutiv i Organizatës Sindikale të SUTKOZ-it në Higjienën Komunale të Shkupit. Sipas sindikatës, të punësuarve disa muaj u lëshohen pagat me vonesë edhe pse në llogarinë e ndërmarrjes, rregullisht transferohen mjete nga paratë që qytetarët i paguajnë faturat.

Të punësuarit kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa kundër udhëheqësisë së ndërmarrjes, duke dorëzuar padi penale dhe kallëzime në Inspektoratin e Punës. Nga ana tjetër, Higjiena Komunale disa diotë më parë informoi se pagat lëshohen me rregull, me disa ditë vonesë.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING