(VIDEO) Gjatë vitit të kaluar mërgimtarët sollën 310 milionë euro ose 2% të BPV-së
Diaspora vazhdon ta mbajë gjallë ekonominë e vendit, edhe pse paratë që sjellin në vend vazhdojnë të ulen nga viti në vit. Gjatë vitit të kaluar mërgimtarët kanë sjellë në Maqedoninë e Veriut 310 milion euro ose 2 për qind të BPV-së. Transferet personale nga vendet e huaja për Maqedoninë e Veriut në shifra absolute shënojnë rënie në vitet e fundit prej 319 milionë euro në vitin 2023 dhe 331 milionë euro në vitin 2022.
Rënia e transfereve personale nga diaspora drejt Maqedonisë së Veriut nuk është as e rastësishme dhe as e përkohshme, por lidhet me ndryshime të thella demografike dhe strukturore. Vlerësimet tregojnë se rreth 700 mijë shtetas të RMV-së jetojnë jashtë vendit, që përbën gati 35% të popullsisë së përgjithshme.
Nga vendet e rajonit më së shumti transfere vitin e kaluar kishte diaspora e Serbisë, e cila ka dërguar 4.47 miliardë euro, pastaj vijon Bosnja e Hercegovina me 1.99, Kosova me 1,32, Shqipëria me 1,28 miliardë dhe Mali i Zi me 345 milionë euro.
Ndërkohë, të dhënat e Eurostat-it tregojnë se fenomeni i remitancave po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha edhe në Bashkimin Evropian. Vetëm gjatë vitit të kaluar, banorët e BE-së dërguan 52.1 miliardë euro drejt vendeve jashtë Unionit, një rritje prej 6%, ndërsa hyrjet drejt familjeve brenda BE-së arritën 14.8 miliardë euro. Në pesë vitet e fundit, daljet e remitancave janë rritur me 51%, duke thelluar bilancin negativ të BE-së ndaj vendeve joanëtare në 37.3 miliardë euro./SHENJA/

