(VIDEO) Gjatë tetorit rreth 17 mijë gjoba trafiku, 121 të arrestuar
Gjatë muajit tetor, policia ka gjobitur 16.801 qytetarë pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se 4.821 shkelje ishin për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
MPB theskon se 121 persona janë arrestuar për drejtim të pakujdesshëm të automjetit në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal, nga të cilët 94 për ngasje nën ndikimin e alkoolit, katër për ngasje nën ndikimin e drogës dhe substancave psikotrope ose prekursorëve, 15 për ngasje me shpejtësi më të lartë se shpejtësia e lejuar në vendbanim, tetë për ngasje me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar jashtë vendbanimit. Gjatë muajit tetor, janë evidencuar 4,165 kundërvajtje për parkim të parregullt, janë shqiptuar 1,888 masa ndaj shoferëve që kanë drejtuar automjetin pa patentë shoferi, si dhe 373 sanksione për ngasje nën ndikimin e alkoolit.
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME
‘’Dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për sigurinë e trafikut rrugor, janë sanksionuar 111 shoferë motorësh për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, si dhe janë sanksionuar 232 këmbësorë dhe 63 shoferë të trotinetëve elektrikë. Gjithashtu janë sanksionuar 942 pjesëmarrës në trafik të cilët nuk kanë përdorur rripin e sigurimit”.
MPB sqaron se sipas Ligjit për automjete, 480 automjete janë larguar nga trafiku për shkak se kanë qenë të paregjistruara, ndërsa 176 për shkak të parregullsive teknike. Po ashtu janë sanksionuar edhe 145 shoferë për errësim të paligjshëm të xhamave dhe një tjetër për përdorim të paautorizuar të pajisjeve sinjalizuese ndriçuese dhe zanore. MPB njofton se kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe u bëjnë thirrje pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat. /SHENJA/

