(VIDEO) Gjatë 2022-shit Shkupi dhe Tetova kishin mbi 100 ditë me ajër të ndotur

(VIDEO) Gjatë 2022-shit Shkupi dhe Tetova kishin mbi 100 ditë me ajër të ndotur

Raportet mujore të sistemit shtetëror për monitorimin automatik të cilësisë së ajrit për Shkupin tregojnë se në vitin 2022 ka pasur më shumë se njëqind ditë me ajër të ndotur, përkatësisht tejkalim të vlerës kufitare të lejuar të grimcave PM10 prej 50 mikrogramë në një metër kub. Sipas standardeve botërore shëndetësore, kufiri i rrezikshmërisë në një vit kalendarik  është 35 ditë me ajër të ndotur.

MONITORIMI AUTOMATIK I CILËSISË SË AJRIT

“Sipas raportit për vitin 2022 në mungesë të të dhënave të dhjetorit  më së shumti ose gjithsej 98 ditë me ajër të ndotur kanë qenë në Qendër, 62 në Karposh, 55 në Gazi Babë, 94 në Lisiçe, 87 tek Rektorati, 61 në Gjorçe Petrov dhe 21 në Ilinden . Gjatë vitit 2022, muajt e dimrit ishin kryesisht ditë me ndotje të ajrit, ndërsa pranvera dhe vera  kanë pasur muaj pa ditë pa ndotje të ajrit. Kështu, në muajt maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator nuk është tejkaluar kufiri i grimcave PM10 prej 50 mg/m3 në disa nga stacionet matëse, përveç atij në Qendër”.

Krahas përqendrimeve të parametrave të zakonshëm mjedisor, stacionet e monitorimit matin edhe përqendrimet e përbërjeve organike të avullueshme, si benzeni, tolueni, etil benzeni, otoksileni dhe paraksileni në ajrin e ambientit, të cilat japin ndotje të trafikut.

Raportet mujore të Sistemit Shtetëror për Monitorim Automatik të cilësisë së ajrit të ambientit për Tetovën tregojnë se në vitin 2022 ka pasur 108 ditë me ajër të ndotur, përkatësisht tejkalim të vlerës së lejuar të grimcave PM10 prej 50 mikrogramë për metër kub. Sipas standardeve botërore shëndetësore, në një vit kalendarik nuk duhet të ketë më shumë se 35 ditë me ajër të ndotur.

MONITORIMI AUTOMATIK I CILËSISË SË AJRIT

“Më së shumti, ose 24 ditë, kishte në dhjetor të vitit 2022, ndërsa në nëntor dhe janar 2022 kishte nga 21 ditë dhe në shkurt 20 ditë”.

Sipas raporteve, vërehet se gjatë vitit të kaluar muajt e dimrit kanë qenë kryesisht ditë me ndotje të ajrit, ndërsa në pranverë dhe verë ka pasur disa muaj pa asnjë ditë me ajër të ndotur. Kështu, në maj, qershor, korrik dhe shtator nuk u tejkalua pragu i grimcave PM10 prej 50 mikrogramë për metër kub. Në gusht kishte një ditë kur ajri ishte i ndotur, ndërsa në tetor dy ditë, por edhe nëntë ditë kur nuk kishte matje të ndotjes së ajrit.

Ditët e fundit, Shkupi është ngjitur në mesin e pesëmbëdhjetë qyteteve më të ndotura në botë, i shoqëruar nga kryeqytete të tjera nga rajoni. Ajri i ndotur është shkaku i problemeve shëndetësore gjithnjë e më shumë. Pasojat i ndjejnë edhe të moshuarit. Spitali i Fëmijëve në Kozle është i mbingarkuar. Këtu bëhen deri në dyqind ekzaminime në ditë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING