(VIDEO) Gjashtë muaj pas tragjedisë në Koçan, familjarët kërkojnë drejtësi

(VIDEO) Gjashtë muaj pas tragjedisë në Koçan, familjarët kërkojnë drejtësi

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 62 të rinj dhe mbi 200 u plagosën, ende nuk është caktuar.

Prokuroria ka dorëzuar aktakuzë ndaj 34 personave dhe tre kompanive, ndërsa gjykata po shqyrton mbi 40 ankesa. Procesi është vonuar, ndërkohë që prindërit e viktimave çdo javë organizojnë “Marshin e engjëjve” për tí rikujtuar institucionet se drejtësia nuk ka ardhur ende.

Zjarri shpërtheu natën mes 16 dhe 17 marsit 2025 rreth orës 2:30, për shkak të mjeteve piroteknike që ndezën materialin e djegshëm në tavan. Brenda pak minutash, i gjithë klubi u përfshi nga flakët. Të rinjtë nuk patën mundësi të shpëtonin, pasi kishte vetëm një hyrje.

Hetimet zbuluan se diskoteka punonte pa leje të vlefshme, pa dalje emergjente dhe me kapacitet të tejmbushur. Sigurimi privat nuk kishte kontratë të rregullt me klubin dhe nuk i kishte kontrolluar as vizitorët, as kushtet e sigurisë.

Ndër të akuzuarit janë ish-kryetarë të komunës së Koçanit, ish-ministri i Ekonomisë, zyrtarë të ministrive dhe inspektorë shtetërorë. Në listë përfshihet edhe pronarja e firmës që përgatiti dokumentacionin teknik të rremë, si dhe djali i pronarit të diskotekës.

Rasti u transferua nga Gjykata Themelore e Koçanit në Gjykatën Penale Shkup, për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe resurseve.

Ndërkohë, Prokuroria ka ngritur një aktakuzë të re edhe ndaj pronarit të vërtetë të firmës së sigurimit “Rubikon”, i cili sipas hetimeve ka vepruar në kundërshtim me rregullat e sigurisë dhe më pas ka tentuar të hapë kompani të re në Strumicë për të vazhduar aktivitetin duke fshehur përgjegjësinë.

Çdo të shtunë, prindërit dhe të afërmit e viktimave marshojnë në “Marshin e engjëjve” duke përsëritur mesazhin e tyre: “Kurrë më një tragjedi e tillë! Mjaft me korrupsion dhe manipulime që marrin jetë njerëzish”.

Përveç në Koçan, thirrje për tubime simbolike janë shpërndarë edhe në Shkup, për të nderuar jetët e shuara dhe për të kërkuar drejtësi. /SHENJA/

 

MARKETING