(VIDEO) Gir: Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë vendime tjera
Ambasadori evropian në vend, David Geer, tha se miratimi i ndryshimeve kushtetuese duhet të ndodhë dhe kjo është çështje që është në dorën e vetë shtetit dhe të Kuvendit, dhe të atyre që janë të prekur në këtë rast. Ai u shpreh i bindur se shumë shpejt do të ndodhin ndryshimet kushtetuese, dhe sipas tij pasi të miratohen të njëjtat, nuk do të ketë vendime shtesë për Maqedoninë e Veriut, siç pretendojnë disa subjekte politike.
David Geer
“Ky është një vendim sovran që duhet të merret, por pasi të merret ai vendim ne kalojmë në hapin tjetër që do të thotë se vendi vazhdon të ecë përpara kah Bashkimi Evropian, që do të thotë se nuk ka vendime të tjera plotësuese që duhen të merren më tej”
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se e dinë që është e vështirë që të arrihet dy e treta e shumicës parlamentare për votimin e ndryshimeve kushtetuese, ashtu siç ka qenë e vështirë edhe për Marrëveshjen e Prespës, por në fund kanë arritur marrëveshje me Greqinë.
Dimitar Kovaçevski
“Për këtë arsye them se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejtë, që të mundemi sa më parë të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Në të kundërtën do kemi pritje, izolim, bllokime, dhe përsëri do ulemi në tavolinë që të mendojmë se si ta përfundojmë procesin, ndërsa një herë e kemi parë, në vend që të kishim marrëveshje me Greqinë në 2011-ën, u shtyente dhe në fund kishim zgjidhje më të keqe”
Ndryshimet kushtetuese kanë ngecur në parlament pasi shumica qeverisës nuk i ka numrat e nevojshëm për miratimin e tyre. Kundër ndryshimeve është partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, të cilët thonë se nën diktatin bullgarë nuk do t’i votojnë të njëjtat, ndërsa së fundi edhe froni opozitar shqiptar i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike kanë shprehur se nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese pa e zgjidhur çështjen e “20 përqindëshit.
Linda Ebibi /SHENJA/