(VIDEO) Gashi: Shkrirja e VLEN-it në një parti të bazohet në parimet e barazisë
Kryeparlamentari Afrim Gashi duke komentuar shkrirjen e VLEN-it në një parti, tha se kryetari aktual i Alternativës, Bekim Sali, njëkohësisht zëvendëskryeministër për eurointegrime, ka mbështetjen e tij të plotë. Ai gjatë brifingut të sotëm me gazetarët tha se, qëndrimi i tyre është që shkrirja e VLEN-it në një parti politike duhet të bazohet në parimet e barazisë dhe vendimmarrjes konsensuale.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit
“Në Alternativë më shumë diskutohet për parimet dhe për atë se për çfarë do të angazhohet VLEN-i, për programin…, e jo për atë se kush do të jetë kryetar i partisë. VLEN-i duhet të shkojë drejt konsolidimit dhe blloku shqiptar duhet të stabilizohet dhe të ketë dy blloqe, si në kampin maqedonas, po kërkohet mënyra më e mirë për ta realizuar këtë”.
Kujtojmë se Lëvizja Besa javën e kaluar mbajti kuvendin e partisë, ku shkarkua e gjitë kryesia në mënyrë që t’i hapet rrugë shkrirjes së VLEN-it në një parti. Të njëjtë gjë e ka paralajmëruar edhe partia e Izet Mexhiti. VLEN momentalisht po diskuton modelin se si do të funksionojë si një parti, ndërsa përfaqësues të koalicionit kanë thënë se po e diskutojnë modalitetin me dy kryetarë.
Sipas Mexhiti, ideja e bashkëkryetarëve është një prej ideve kreative të cilat ndoshta nuk janë karakteristike në vend, mirëpo i njeh bota demokratike.
Koalicioni VLEN u formua para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, me bashkëpunimin e partive Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit. Megjithatë, Taravari një vit pas këtij koalicioni doli nga qeveria dhe rrjedhimisht edhe nga koalicioni VLEN. Si pasojë e kësaj, edhe ASH-ja e Taravarit pësoi përçarje, ku një pjesë, të përfaqësuar nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, vendosën të qëndrojnë në koalicion, ndërsa pjesa tjetër iu bashkua rrugëtimit të Taravarit.
Teuta Buçi /SHENJA/

