(VIDEO) Gashi: Në janar kalendar pune, Kuvendi s’është makineri votimi
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, paralajmëron ndryshim të qasjes në miratimin e ligjeve, duke theksuar se praktika e procedurës së shkurtuar duhet të reduktohet ndjeshëm. Sipas tij, kjo mënyrë e punës e kufizon transparencën dhe përjashton publikun dhe ekspertët nga procesi ligjvënës.
Si hap konkret, Gashi në një Intervistë për MIA-në, njofton se në muajin janar Kuvendi do të miratojë një kalendar zyrtar pune, me data të përcaktuara për seancat plenare. Qëllimi është përmirësimi i koordinimit me Qeverinë dhe krijimi i kushteve që ligjet të dërgohen me kohë dhe të shqyrtohen në procedurë të rregullt.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Do të propozojmë në koordinim një kalendar aktivitetesh dhe seancash plenare, sipas të cilit do të komunikojmë me Qeverinë, dhe ata do ta dinë saktësisht se në cilët muaj dhe në cilat ditë ne planifikojmë seanca plenare. Kur të duan që një ligj të miratohet, do ta dinë saktësisht kur ta dërgojnë. Dhe duhet sensibilizim. Unë mendoj se problemi nuk është vetëm te Qeveria. Fatkeqësisht, kemi një kulturë jo cilësore ose jo të mirë në raport me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe me Kuvendin. Për 34–35 vjet janë mësuar t’i kryejnë punët më shpejt”.
Gashi the se ata mendojnë se Kuvendi duhet të jetë një makineri votimi për miratimin e ligjeve, por sipas tij, kjo qasje duhet të ndryshojë.
Përtej reformave procedurale, Gashi bën thirrje edhe për një tranzicion vlerash në shoqëri. Ai vlerëson se Kuvendi duhet të jetë shembull pozitiv në promovimin e respektit, tolerancës dhe etikës politike, sidomos në një klimë të mbushur me polarizim dhe energji negative.
Samir Mustafa /SHENJA/

