(VIDEO) Gashi: “Badenteri” në kushtetuese s’duhet të jetë tabu
MARKETING
Kreu i Kuvendit ka komentuar deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostanovski në lidhje për zbatimin e parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese. Gashi vlerësoi se futja e këtij parimi edhe në institucionin më të lartë gjyqësor nuk duhet të jetë temë tabu.
MARKETING
SINKRON: AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Në lidhje me Badenterin në Gjykatën Kushtetuese, kjo nuk duhet të jetë temë tabu dhe duhet të diskutohet si nga aspekti politik ashtu edhe nga ai profesional. Gjykata Kushtetuese duhet të luajë rolin e saj siç është përcaktuar në Kushtetutë, pra të mbrojë Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë në miratimin e ligjeve në shtet. Prandaj nuk duhet të kemi paragjykime ndaj temave që çojnë drejt vendimmarrjes cilësore”.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, të marten tha se jo vetëm që është kundër vendosjes së badenterit në Gjykatën Kushtetuese, por shkoi edhe më tej, duke thënë se më mirë të mbyllet ky institucion se sa të vendoset ky mekanizëm.
Ndërkohë, kryekuvendari Gashi ka komentuar edhe kërkesat e ndryshme për ndryshime kushtetuese. Ai ka theksuar se hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme që nuk duhet bërë në mënyrë ad-hoc, duke nënvizuar se vendimi kryesor është në duart e partive politike.
SINKRON: AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Hapja e Kushtetutës është çështje e ndjeshme. Para së gjithash është çështje marrëveshjeje mes partive politike dhe, siç e dini, në Kuvend nevojiten dy të tretat e deputetëve. Nuk do të komentoja më tej, do t’u lija partive të vendosin kur është e nevojshme dhe për cilat çështje”.
Ai sqaroi se sapo hapet Kushtetuta, secili tenton të arrijë qëllimet e veta politike. Sipas Gashit, secili këmbëngul në diçka tjetër dhe kjo mund të çojë në krijimin e problemeve më të mëdha sesa përfitimet.
Samir Mustafa /SHENJA/

