(VIDEO) Fronti Evropian: Mickoski po përpiqet të mbulojë dështimet e Qeverisë, po fshihen përgjegjësit e vërtetë

VMRO-ja i është përgjigjur mbërmë vonë akuzave të BDI-së se po realizon fushatë kundër shqiptarëve në emër të hetimeve për tragjedinë në Koçan. Partia në pushtet theksoi se BDI, partia që sundoi për dy dekada përmes shantazheve, korrupsionit dhe institucioneve të shantazhuara, po përpiqet të shmangë përgjegjësinë me përpjekje të lira për manipulim etnik.
“Akuzat se institucionet shtetërore po bëjnë hetime me motive etnike janë jo vetëm të turpshme, por edhe të rrezikshme. Asnjë komunitet etnik nuk është në shënjestër, vetëm individët e dyshuar për krim janë në shënjestër”, theksoi VMRO-ja.
Këtyre pretendimeve i janë përgjigjur sot nga BDI me anë të një komunikate, ku theksohet se aktualisht, përmes arrestimeve të pabazuara të shqiptarëve, Mickoski po përpiqet të nxisë tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e qeverisë dhe si mjet për të shkaktuar përçarje etnike.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Këto veprime të paprovuara, të nisura nga institucionet e kontrolluara nga Mickoski, shërbejnë për të targetuar qëllimisht individë për qëllime politike. Është e qartë se, ndërkohë që individë të thjeshtë po përdoren si kurbanë, ata që mbajnë pozita të fuqishme – përfshirë ministra dhe drejtorë aktualë– vazhdojnë të jenë të lirë, pavarësisht përgjegjësisë së tyre të plotë për këtë tragjedi”.
Po për këtë, reagim ka pasur edhe nga Aleanca për Shqiptarët, nga ku thonë se tashmë edhe edhe tragjeditë po keqpërdoren për t’i goditur shqiptarët me arrestime të padrejta, të pabaza dhe me prapavijë etnike, nga ku sipas tyre kjo situatë, ka për qëllim të fshehë përgjegjësit e vërtetë.
Aleanca për Shqiptarët
“Arrestimet e padrejta, të pabaza dhe me parapavijë të pastër etnike, duke keqpërdorur tragjëdinë e Koçanit kanë dy qëllime: Të fshehin përgjegjësit e vërtetë duke filluar nga kryeministri, ministri i punëve të brendshme dhe drejtuesit aktual të organeve kompetente, lokale dhe qëndrore. Të frikësojnë shqiptarët, të shtypin shqiptarët dhe të shkaktojnë revoltë dhe tensione ndëretnike, me qëllim defokusimi nga problemet dhe përgjegjësitë reale”.
Partia e drejtuar nga Ziadin Sela fton drejtuesit e Qeverisë, Prokurorisë dhe gjykatave që të ndërpresin këtë fushatë që nuk i shkon në dobi askujt, por që dëmton të gjithë, pa përjashtim, si ata që kërkojnë drejtësi ashtu edhe ata të cilëve sot ju bëhet padrejtësi.
Teuta Buçi /SHENJA/