(VIDEO) Forumi për Ndryshime në Arsim kërkon veting për arsimin e lartë

(VIDEO) Forumi për Ndryshime në Arsim kërkon veting për arsimin e lartë

Arsimi i lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dhjetë vitet e fundit karakterizohet me cilësi të ulët, jo transparencë dhe afera korruptive. Kështu deklarojnë  nga “Forumi për Ndryshime në Arsim në Tetov”. Ata kërkojnë veting për arsimin e lartë me qëllim që sigurohet cilësia, besueshmëria dhe integriteti.

MARKETING

BLENDI HODAI, KRYETAR I “FORUMIT PËR NDRYSHIME NË ARSIM NË TETOVË”

“Si Forum për Ndryshime në Arsim kemi plan konkret se si mund dhe se si duhet të bëhet kjo. Me veting, sigurohet cilësia, besueshmëria dhe integriteti në Arsimin e lartë. Kjo do të shërbejë si themel i mirëmbajtjes së reputacionit akademik dhe luftës kundër korrupsionit në Arsimin e Lartë”.

Ai sqaroi se propozimi i tyre për vetingun në arsimin e lartë është i fokusuar në tri fusha:

  1. Personat me pozita udhëheqëse brenda universiteteve si Rektorët, Prorektorët, Dekanët dhe Prodekanët t’i nënshtohen procesit të vetingut.
  2. Inspektorati i Arsimit dhe Enti Shtetëror i Revizionit të kryejë inspektime të jashtëzakonshme çdo fillim të vitit akademik për të verifikuar parregullsitë potenciale gjatë punës së tyre si dhe mënyrës së menaxhimit të financave
  3. Të ri-shqyrtohen titujt akademik të profesorëve ndaj të cilëve ka indicie publike se mund të kenë marrë titullin në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë.

Blendi Hodai më tej thekson se duhet  të hetohen të gjitha vendimet për akreditim të programeve të dyshimta nga ana e Bordit për Akreditim në Arsimin e Lartë. Ai thotë se anëtarët e këtij institucioni duhet t’i nënshtrohen vetingut i cili do të vlerësojë etikën profesionale të tyre si dhe konfliktet potenciale të interesit.

BLENDI HODAI, KRYETAR I “FORUMIT PËR NDRYSHIME NË ARSIM NË TETOVË”

“E gjithë kjo të bëhet nga një komision i pavarur kombëtar i cili do të jetë përgjegjës për verifikimin e plotë të avancimeve në thirrje akademike të të gjithë profesorëve në 15 vitet e fundit”.

Si masа për forcimin e transparencës së institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, Forumi propozon,  transmetim të drejtpërdrejtë  të mbledhjeve të Senatit dhe  publikimi i të gjitha dokumenteve të rëndësishme në ueb-faqet e universiteteve. Forumi për Ndryshime në Arsim beson se këto masa do të kontribuojnë dukshëm në përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë në arsimin e lartë dhe për të inkurajuar një kulturë ekselence në institucionet  akademike.

Samir Mustafa /SHENJA/

 

MARKETING