(VIDEO) Filipçe: Nëse ka “kalë troje” të VMRO-së në LSDM, le të largohet menjëherë!
Partia opozitare maqedonase LSDM sot ka mbajtur Kongresin e 31-të, ku të pranishmëve me një fjalim ju drejtua kryetari Venko Filipçe. Ai tha se partia po hyn në një fazë mobilizimi, pa hapësirë për ndarje të brendshme. Filipçe paraljmëroi dalje në terren, ndërsa tha se dyert e LSDM-së janë të hapura për të gjithë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“E di që në të kaluarën ka pasur turbulenca. Disa qëndruan, disa u larguan. Por tani dua të dërgoj një mesazh: dyert e LSDM-së janë të hapura për çdo socialdemokrat, për çdo punëtor, për çdo intelektual që ia do të mirën shtetit. Sot i vëmë pikë përçarjeve. Kush mendon të jetë kalë troje i VMRO-DPMNE-së, le të largohet menjëherë. Nuk kemi luks për ego. Nuk ka më ulje në vend. Nuk ka më shkrim statusesh në Facebook. LSDM-ja del në terren. Do të trokasim në çdo derë për ta zgjuar Maqedoninë”.
Nuk munguan as kritikikat për pushtetin aktual, e sidomos për gjendjen ekonomike. Kreu i LSDM-së tha se VMRO-DPMNE premtoi reforma, por sipas tij, ata sollën grabitje me përmasa të mëdha, tenderë për njerëz të afërt dhe plaçkitje të fondeve evropiane.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Por kur krijohet buxheti për vitin 2026 me një vrimë prej 2 miliardë eurosh dhe shkohet drejt huamarrjes së re, kjo nuk është thjesht gabim. Kjo është grabitje e qëllimshme e shtetit, krim financiar kundër së ardhmes së fëmijëve. Këto para nuk zhduken. Ato përfundojnë në xhepat e oligarkisë, ndërsa qytetarët e paguajnë faturën përmes inflacionit. Shporta e konsumit është më e shtrenjtë se ari. Çmimet po çmenden, sepse mbrohen përfituesit, jo qytetarët. Energjia elektrike dhe ngrohja janë më të shtrenjta, ndërsa na bindin se jemi ekonomia e katërt në Evropë”.
Filipçe më tej tha se vendi është në izolim diplomatik. Sipas tij, rruga evropiane është e bllokuar dhe se ai tha se në vend të shtetit evropian, Maqedonia e Veriut u bë territor i izoluar pa plan dhe vizion.
Samir Mustafa /SHENJA/

