(VIDEO) Filipçe mohon se takimi me Mickoskin ishte monoetnik

Lideri i LSDM-së Venko Filipçe ka deklaruar se në takimin e djeshëm me kryeministrin Hristijan Mickoski, janë dakorduar që të bashkëpunojnë në agjendën reformuese për Planin e rritjes, në të cilën grupi i parë i ligjeve janë në fushën e drejtësisë, energjetikës, kulturës dhe digjitalizimit. Ai edhe një herë u ka bërë thirrje për takim liderëve të të gjitha partive parlamentare. Filipçe sërisht mohoi se bëhet fjalë për një takim monoetnik, duke theksuar se kur bëhet fjalë për interesin e shtetit, palët nuk duhet të ndahen.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Takimi shkoi mirë dhe duhet të them në mënyrë konstruktive. Ne morëm një qëndrim të përbashkët për ta nisur atë, për të gjetur një mënyrë për të punuar në agjendën e reformave, si kurrë më parë, duke ndjekur shembullin e demokracive të zhvilluara. Suedia ka një shembull të tillë, Gjermania ka një shembull të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi politikisht ndryshe, por kur është fjala për shtetin duhet të ulemi të gjithë bashkë dhe t’i zgjidhim problemet”.
Duke folur për reagimet partiake nga blloku shqiptar, Filipçe tha se thirrja ka qenë për të gjitha partitë.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Kam bërë thirrje për mbledhje të kryetarëve të të gjitha partive, një nga kryetarët e një partie shqiptare tha se do të ishte humbje kohe dhe tani po na akuzojnë për një lloj takimi monoetnik. Takimi lindi nga tragjedia e Koçanit kur pamë se ka çështje të rëndësishme për zhvillimin e shtetit, për të cilat duhet të bashkëpunojnë të gjitha subjektet politike, pavarësisht nëse kemi prapavijë të ndryshme politike, politika që i kemi zbatuar dhe planifikojmë t’i zbatojmë në të ardhmen”.
Në takimin e djeshëm, siç tha ai, ka përfaqësuar LSDM-në dhe janë takuar si liderë të dy partive më të mëdha në bllokun maqedonas.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/