(VIDEO) Federata Ndërkombëtare e Basketbollit nis hetimet për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë

(VIDEO) Federata Ndërkombëtare e Basketbollit nis hetimet për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në Kumanovë

Edhe sot kanë vazhduar reagimet për incidentin e të shtunës në Kumanovë, ku në sallën sportive gjatë ndeshjes së basketbollit në mes RMV-së dhe Rumanisë një grup tifozësh me tone fyese bënë thirrje antishqiptare, me motiv të pastrimit etnik, apo një “Maqedonie të pastër”. Valës së reagimeve pas katër ditëve iu bashkua edhe presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova. Siljanovska tha se është josportive të keqpërdoret fusha sportive për të ushtruar gjuhë urrejtjeje, fyerje dhe satanizim me fjalë helmuese dhe vrasëse.

GORDANA SILJANOVSKA DAVKOVA, PRESIDENTE

Për shkak të, kush e di se cilës herë, të analfabetizmit tonë sportiv me të drejtë nuk ndalojnë reagimet për incidentin e tmershëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, në të cilën disa tifozë të papërgjegjshëm gjuajtën me plumba të urrejtjes ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por na goditën të gjithëve dhe sërisht jemi të turpëruar”.

Ndërkohë nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit për Radio Evropa e Lirë kanë njoftuar se kanë nisur hetim lidhur me incidentin në Kumanovë.

FEDERATA NDËRKOMBËTARE E BASKETBOLLIT

Në këtë fazë, jemi duke mbledhur raportet dhe deklaratat përkatëse, duke punuar në përputhje të ngushtë me federatat kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe forcat e rendit”.

Thirrjet antishqiptare si “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, “ Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma Gazi për shqiptarët”, të cilat u thanë zëshëm nga tifozët maqedonas në Kumanovë, preken dhe nxitën reagime të shumta në opinion, thirrje për të cilat Kryeministri i vendit Hristijan Mickoski ditën e djeshme deklaroi se gjatë lojës ai nuk i kishte dëgjuar, nën arsyetimin se kishte qenë vetëm një grup i vogël i tifozëve që kishin brohoritur.

Reagime të shumta pati edhe nga federatat e basketbollit si dhe institucionet tjera sportive të vendit dhe rajonit, nga partitë politike të vendit, funksionerë dhe përfaqësues politik shqiptarë nga vendet shqipfolëse të rajonit, të cilët u prekën nga thirrjet e tilla nxitëse. Ajo e cila u komentua si shqetësuese ishte fakti që thirrje të tilla u lejua të ndodhin në një sallë ku ishin të pranishëm vetë kryeministri dhe figura të tjera të larta të elitës politike maqedonase.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING