(VIDEO) Evropianët të shqetësuar për sigurinë, ballkanasit për mbijetesën

(VIDEO) Evropianët të shqetësuar për sigurinë, ballkanasit për mbijetesën

Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë prioritete dhe pikëpamje të ndryshme jetësore, tregon një anketë e Eurobarometrit, e kryer në pranverë të këtij viti, raporton REL.
Derisa ata të BE-së mbeten të përqendruar në çështje të sigurisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës, në Ballkanin Perëndimor më të shqetësuar janë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, krimin, korrupsionin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor. Anketa shpërfaq, gjithashtu, dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit, për sa i përket optimizmit, besimit në BE, mosbesimit në NATO dhe mbështetjes për anëtarësimin e mundshëm. Për tre vjet me radhë, më shumë se një e katërta e të anketuarve nga 27 vende pajtohen se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së, ndërsa një e pesta i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë.
Ballkani Perëndimor, në anën tjetër, përqendrohet te mbijetesa e përditshme. Krahasuar me anketën e njëjtë të kryer në vjeshtë, Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me krimin, ndërsa Kosova regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me rritjen e çmimeve.
Kosova dallohet krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për optimizmin, ku 76 për qind e të anketuarve shprehen të kënaqur me tregun e punës.
Rreth 40 për qind e të anketuarve në vendet e tjera mendojnë se mundësia për të gjetur punë në vendin e tyre është e mirë, që është në përputhje me mesataren e Bashkimit Evropian.
Krahasuar me sondazhin e Eurobarometrit në vjeshtë, Shqipëria shënon rritjen më të madhe të optimizmit – për 17 për qind, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina rritjen më të madhe të pesimizmit – për 6 për qind.
Sa i përket gjendjes së përgjithshme në vend, dy të tretat e të anketuarve në Serbi mendojnë se ajo është e keqe. Njëkohësisht, kjo është edhe rritja më e madhe e perceptimit negativ: 19 për qind.
Ndryshe nga të tjerët, 80 për qind e të anketuarve në Kosovë e kanë vlerësuar gjendjen në vendin e tyre si të mirë. Të anketuarit në Kosovë dhe në Mal të Zi janë optimistë sa i përket drejtimit që po ndjekin vendet e tyre.
Ndërsa shumica e qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor besojnë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm, në Kosovë dhe në Shqipëri dominon optimizmi.
Në këto dy vende, shumica besojnë se jeta e tyre do të përmirësohet, ndërsa çdo i pesti i anketuar në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut ka frikë se e ardhmja do të jetë më e vështirë.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërkaq, mbetet i dëshirueshëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë. /SHENJA/

MARKETING

MARKETING