(VIDEO) Eurostat: Prej 3 690 autobusëve në RMV vetëm 15 janë ekologjik

(VIDEO) Eurostat: Prej 3 690 autobusëve në RMV vetëm 15 janë ekologjik

Në Maqedoninë e Veriut qarkullojnë saktësisht 3.690 autobusë, por vetëm 15 prej tyre janë ekologjikë. Sipas të dhënave të Eurostat-it, RMV renditet ndër vendet me përfaqësim mbi mesataren të autobusëve në raport me numrin e banorëve, por të dhënat zbulojnë një realitet tjetër, shumë më shqetësues: parku i automjeteve është pothuajse tërësisht me naftë dhe shumë larg trendeve evropiane të mobilitetit të gjelbër dhe modern.

Në vitin 2024, në vend ishin të regjistruar 3.690 autobusë, që përkthehet në rreth 2 autobusë për 1.000 banorë – më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila është 1,6 autobusë për 1.000 banorë.

Megjithatë, ndonëse shifrat janë të larta, struktura e autobusëve paraqet problem. Pjesa dërrmuese e autobusëve në Maqedoni janë të vjetër dhe jo ekologjikë: nga gjithsej 3.690 autobusë, 3.609 funksionojnë me motorë dizel (97,8%), 63 janë me benzinë-gaz, ndërsa vetëm 15 – ose 0,4% – janë elektrikë. Në një kohë kur Bashkimi Evropian po përshpejton kalimin drejt mjeteve me emetime të ulëta ose zero, Maqedonia e veriut mbetet ende në hapat fillestarë të këtij tranzicioni.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se rinovimi i parkut të autobusëve në vendin tonë është disi mbi mesataren evropiane. Në vitin 2024, për herë të parë u regjistruan 379 autobusë të rinj, që përfaqëson një rinovim prej 10,2% – pothuajse dyfish më i lartë se mesatarja e BE-së prej 5,1%. Shkallën më të lartë të rinovimit e ka Luksemburgu (11,6%), ndërsa më të ulëtën Bullgaria (0,7%). /SHENJA/

 

MARKETING