(VIDEO) Eurointegrimet dhe ndryshimet kushtetuese në qendër të takimit të Ramës me liderët shqiptarë

(VIDEO) Eurointegrimet dhe ndryshimet kushtetuese në qendër të takimit të Ramës me liderët shqiptarë

“Gëzuar! Qoftë një vit i mbarë për shqiptarët kudo ku janë! (Vëllazëri shqiptare). Kështu ka shkruar kryeministri Edi Rama mbi fotografinë e takimit që kishte të martën në mbrëmje me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Ali Ahmeti, Arben Taravari, Afrim Gashi dhe Menduh Thaçi ishin pjesëmarrës në këtë takim, ndërsa ftesën e refuzoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili tha se nuk ulet në një tavolinë me Ali Ahmetin.  Pas takimit krerët e partive politike shqiptare thanë se  është diskutuar për sfidat dhe rrugëtimin e të dy shteteve drejt anëtarësimit në BE. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se takimi ishte për rrugëtimet e përbashkëta që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociata për anëtarësim në BE.

ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË

“Takimi i sotëm ishte për rrugëtimet e përbashkëta që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt hapjes së negociata për anëtarësim në BE. Kishte një ligjërim nga kryeministri i Shqipërisë për përpjekjet e përbashkëta që janë bërë, si dhe përpjekjet që duhet bërë pas përfundimit të skriningut drejt hapjes së kapitullit të parë. Parashikimet ishin se tani do të jetë më e vështirë rruga, kështu që të dyja vendet tani duhet të koordinohen, në mënyrë që ta shkurtojmë rrugën për anëtarësim në BE. Një nga mënyrat thuajse të vetmet për ta parandaluar emigracionin, është anëtarësimi në BE”.

Kryetari i ASH-së Arben Taravari, theksoi se takimi ishte analizë e përgjithshme e gjendjes në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ASH-SË

“Takimi ishte analizë e përgjithshme në të dy vendet. Gjithashtu biseduam për ardhmërinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kemi pasur sfida, ndërsa tani si dy shtete të NATO-s urojmë dhe shpresojmë që së bashku t’i vazhdojmë negociatat për anëtarësim në BE. Të gjitha partitë që ishin këtu e përkrahim atë që Maqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë rrugën për në BE. Kemi diskutuar edhe për ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen në RMV. Ishte një bisedë e relaksuar, më shumë si darkë e fillim vitit”.

Lidhur me takimin e Ramës me liderët shqiptarë sërish  ka reaguar VMRO-DPMNE.  Nga partia e Mickoskit thonë se takimi i Tiranës dhe siç shprehen ata zbatimi i agjendave të huaja, nuk mund t’i shpëtojë nga humbja LSDM-në dhe Kovaçevskin në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare.

VMRO-DPMNE

“Paniku dhe frika e LSD-së dhe BDI-së për mbijetesën e pushtetit të tyre është evident, sepse po e humbasin me shpejtësi besimin e qytetarëve, prandaj u duhej ky takim”

Nga kjo parti pyesin Kovaçevskin nëse sërish do të marrin ndonjë marrëveshje të dëmshme nga takimi në Tiranë e që sipas VMRO-së, LSDM do ta pranojë vetëm për të shpëtuar karierën e tyre.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING