(VIDEO) Euroambasadori Rokas: Identiteti dhe gjuha nuk negociohen

(VIDEO) Euroambasadori Rokas: Identiteti dhe gjuha nuk negociohen

Shefi i delegacionit të BE-së në vend, Mihalis Rokas e ka vlerësuar pozitivisht raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut i cili u votua dje në Parlamentin Evropian. Ai theksoi se raporti i jep mbështetje proceseve integruese të shtetit dhe i mbështet proceset reformuese, posapërisht reformat në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe sfidat e tjera me të cilat përballet shtet. Po ashtu, Rokas komentoi edhe në lidhje me dispozitat kontestuese të raportit në lidhje me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Mihalis Rokas, Euroambasador

“Parlamenti Evropian është institucion i pavarur, i cili sjell vendime politike në përputhje me procedurat e veta të brendshme. Më e rëndësishmja është të theksohet se identiteti dhe gjuha nuk janë pjesë e kornizave negociuese. Identiteti dhe gjuha mbrohen më së miri me anëtarësim të plotë në BE”.

Heqja e referencave për identitetin dhe gjuhën maqedonase nga raporti është komentuar edhe nga pala bullgare. Ministri i jashtëm bullgar, Georg Georgiev tha se me këtë, Sofja arriti që Parlamenti Evropian të shfrytëzohet për propagandë vendore politike të kryeministrit Hristijan Mickoski.

Georg Georgiev, Ministër i Jashtëm i Bullgarisë

“Kryeministri maqedono – verior dukshëm nuk është i entuziazmuar nga zhvillimi pozitiv të vendit të tij, por zhvillon beteja me sugjerime që janë të pafrytshme.  Bullgaria është një vend i fortë, Bullgaria është një faktor si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në rajon, dhe Maqedonia e Veriut duhet ta ketë këtë parasysh. Ne jemi një vend anëtar i BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut për momentin është vetëm një kandidate”.

Nga ana tjetër, Mickoski tha se, pas dështimit të përpjekjes së Bullgarisë,  për  ripërcaktim të plotë të identitetit dhe gjuhës maqedonase si “moderne”, ata fshinë  identitetit dhe gjuhës maqedonase nga Raporti. Ai tha se me këtë, Bullgaria ka bërë precedent.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Është shumë më e rëndësishme që Evropa, bota dhe qytetarët maqedonas panë se Marrëveshja e vitit 2022, pranimi i Propozimit të atëhershëm, nuk është vetëm një ndryshim dhe ndërhyrje e thjeshtë në Preambulë dhe përfshirja e një pjese të pakicës bullgare, por problemi është shumë më thelbësor, dhe ky është mohimi i identitetit dhe gjuhës së njërit prej popujve më të vegjël në Evropë nga Bullgaria. Për mua, ky është një akt i paprecedentë dhe është gjithçka tjetër përveçse vlerë evropiane”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tash më disa vite kanë raporte të tensionuara dhe mosmarrëveshje sa i përket çështjeve të gjuhës dhe identitetit. Mos arritja e marrëveshjes mes palëve, ka bllokuar rrugën e vendit drejt BE-së, me veto nga ana e Bullgarisë e cila nuk pranon ta heq, pa futjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër Qeveria e Mickoskit kërkon garanca që pas kësaj, vendi nuk do të përballet me kërkesa të tjera, duke pasur parasysh edhe faktin se, Maqedonia ndryshoi emrin pikërisht për shkak të integrimeve dhe u përballë me bllokadën bullgare pas asaj.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING