(VIDEO) Eskobar nga Prishtina: Kosova dhe vendet e rajonit kanë të ardhme në BE
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret takime produktive të shtunën në Ohër në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet ndërmjet Escobarit me krerët e shtetit të Kosovës po mbahen vetëm një ditë para takimit në Ohër të Maqedonisë ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të diskutuar aneksin e zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve.
Eskobar realizoi takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe përfaqësues të tjerë. Ai në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës tha se pret një takim produktiv në Ohër dhe se Shtetet e Bashkuara besojnë se propozimi evropian ofron mundësi të mëdha për vendosjen e marrëdhënieve paqësore, të qëndrueshme dhe produktive.
GABRIEL ESCOBAR, I DËRGUARI I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
“Presim një rezultat pozitiv nga takimi në Ohër. Jam shumë optimist se do të arrihet një zgjidhje paqësore. Shpresoj që pas të shtunës të kemi lajme të mira. Ne duam të ofrojmë mbështetje të plotë për çdo rezultat që sjell paqe në rajon dhe rrit mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe mundëson që i gjithë rajoni të bëhet anëtar i plotë i komunitetit euroatlantik”.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova shkon në Ohër me shpresë për rezultate pozitive. Ajo tha se duhet të arrihet një marrëveshje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë, ku trajtohen si dy shtete të barabarta.
VJOSA OSMANI, PRESIDENTE E KOSOVËS
“Ne besojmë fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi dhe me shpresë për një rezultat pozitiv”.
Ndërsa Eskobar theksoi se ky propozim evropian është një mundësi e jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/