(VIDEO) Edhe një kallëzim penal për Përparim Bajramin

Edhe një kallëzim penal, për ish drejtorin e Llotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, i cili është i pakapshëm për organet e rendit. Policia Financiare ka bërë kallëzim penal për Bajramin, për shkak të dyshimit se ai ka marrë objekt me qira për nevojat e Llotarisë, me çmim dyfish më të lartë se çmimi real i tregut dhe me këtë i ka shkaktuar dëm shoqërisë aksionare prej rreth 400.586 eurosh.
Drejtoria e Policisë Financire
“I denoncuari P.B, në cilësinë e drejtorit të SH.A. Lotaria Shtetërore, ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar në atë mënyrë që me datë 05.07.2023 ka lidhur marrëveshje për marrjen me qira të hapësirës administrative-afariste me personin juridik Hej DOOEL Shkup për objekt afarist që nuk është përshtatur dhe i gatshëm për shfrytëzim për nevojat e ShA Lotarisë Shtetërore me çmim për metër katëror, dyfish më i lartë nga çmimi i tregut”.
Pas kallëzimit penal të Policisë Financiare, nga Prokuroria Themelore Publike thonë se po veprojnë për këtë rast.
Prokuroria Themelore Publike
“Prokuroria Themelore Publike Shkup e ka pranuar kallëzimin dhe po vepron pas të njejtës. Duke marrë parasysh se i dyshuari ende është i pakapshëm për organet e përndjekjes dhe i njëjti po kërkohet me fletëarrest kombëtarë dhe ndërkombëtarë, do të ndërmerren veprime të tjera për shqyrtim dhe grumbullim të provave”.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, Prokuroria nisi hetim kundër 6 personave për rastin “Llotaria Shtetërore”. Ministria e Punëve të Brendshme në dhjetor të vitit të kaluar nënshkroi fletëarrest ndërkombëtar për ish kryeministrin Artan Grubin dhe drejtorin e “Llotarisë Shtetërore” Përparim Bajramin, të cilët akuzohen se kanë përvetësuar rreth tetë milionë euro nga “Llotaria Shtetiërore”. Gjykata Penale atyre u caktoi 30 ditë paraburgim, por të njejtit ende nuk janë të qasshëm për organet e rendit.
Emine Ismaili /SHENJA/