(VIDEO) Dy vjet burg me kusht për ish drejtoreshën e onkologjisë

SNEZHANA MARKOVSKA, GJYKATËSE
“E akuzuara Meri Peshevska nga Shkupi ka kryer vepër penale, vepër të rëndë kundër shëndetit të njerëzve në bazë të nenit 217 paragrafi I 3. Gjykata të akuzuarës i ka përcaktuar masë alternative, lirim me kusht. Kështu që të akuzuarës Meri Peshevska i përcaktohet dënim me burg prej 2 vitesh. Dënimi me burg nuk do të realizohet nëse e akuzuara brenda 5 viteve nga hyrja në fuqi e vendimit nuk kryen vepër të re penale”.
Këto ishin fjalët përfundimtare të gjykatëses Snezhana Markovska, e cila shqiptoi dënimin e onkologes Meri Peshevska lidhur me rastin “Onkologjia. Gjykata Themelore Penale në Shkup e ka shpallur onkologen Meri Peshevska fajtore për krime të rënda kundër shëndetit të njeriut në rastin “Onkologjia”, i cili ka të bëjë me trajtimin joadekuat të pacientëve dhe e dënoi atë me dënim me kusht prej dy vitesh burg. Siç tha gjykatësja Snezhana Markovska duke e shqiptuar vendimin, dënimin me dy vite burg e akuzuara nuk do të vuajë nëse nuk kryen një krim tjetër në pesë vitet e ardhshme. Vendimi vjen pasi mjekja e akuzuar pranoi fajësinë në seancën e parë dëgjimore. Ajo ishte e akuzuara e dytë në rastin në të cilin ish-drejtori i Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Nino Vasev, gjykohet si i akuzuari i parë si dhe dy onkologë të tjerë. Vasev dhe dy onkologët e tjerë më parë deklaruan se nuk ishin fajtorë dhe gjykimi për ta vazhdoi, ndërsa procedura për Peshevskën ishte e veçantë dhe vazhdoi deri në vendimin e sotëm.
Në pjesën që ka të bëjë me rrethanat lehtësuese, ajo përmendi faktin se e akuzuara, sipas saj, veprën e ka kryer nga pakujdesia, si dhe pranimin e fajit dhe shprehjen e pendesës për pasojat.
SNEZHANA MARKOVSKA, GJYKATËSE
“Kështu gjykata vlerësoi provat nga ana e mbrojtjes nga seanca e parë, nga ato prova gjykata konfirmoi se e akuzuara ende punon në Klinikë, në të cilën ka qenë e punësuar që nga viti 2002 dhe me sukses I kryen punët e saj. Si rrethanë lehtësuese, gjykata gjithashtu mori në konsideratë faktin se e akuzuara nuk ishte dënuar më parë me sanksione kundërvajtëse ose penale”.
Gjatë sqarimit të vendimit, gjykatësja e lidhi krimin për të cilin Peshevska u dënua me veprimet e të akuzuarit të parë Nino Vasev, i cili, siç deklaroi ajo, u përshkroi pacientëve terapi të papërshtatshme dhe të tepërta, dhe mjekja la në dispozicion vulën dhe numrin e identifikimit të saj, të cilat u përdorën për të përshkruar terapi për 7pacientë.
Në fjalën e saj përfundimtare në seancën e mëparshme dëgjimore të procedurës së veçantë për Peshevskën, Peshevska tha se ishte keqpërdorur nga kolegët e saj onkologë. Mjekët, siç pati sqaruar ajo, kishin një praktikë të përdorimit të vulës së një onkologu tjetër në mënyrë që pacientët të mund të merrnin terapi në kohën e duhur, por ajo deklaroi se kurrë nuk kishte menduar se rregulli mund të keqpërdorej. Për shtatë pacientët që, sipas aktakuzës, u trajtuan në mënyrë të papërshtatshme, Peshevska tha se ajo nuk ishte mjeku kujdestar, por i akuzuari Nino Vasev, i cili përcaktoi terapinë me vulën e saj.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/