(VIDEO) Durmishi: Qytetarët duhet të raportojnë çdo parregullsi mbi çmimet
Ministri i ekonomisë dhe punës Besar Durmishi tha se tregtarët po e respektojnë marrëveshjen për zvogëlimin e çmimeve të produkteve të “Shportës së vitit të ri”. I pyetur lidhur me pakënaqësitë fillestare të qytetarëve lidhur me këto çmime, ai tha se qytetarët e vendit çdo parregullësi mund ta paraqesin tek inspektorati I Tregut I cili më pas do të ndërmerr masa adekuate.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Ajo që pamë është se në raftet e marketeve ishin të shënuara produktet të cilat janë të vendosura në shportën e vitit të ri me ulje të çmimeve prej 10% e më lartë. Ajo që dua të ndajë me ju dhe që jam tepër i lumtur është që për një periudhë kaq të shkurtë kohore kanë arritur që të përfshihen në shportën e vitit të ri mbi 95 tregtarë në 42 rrjete marketesh me ç’rast numri i produkteve ka kaluar mbi 1100 produkte të vendosura në këtë masë”.
Drejtori i inspektoratit shtetëror të tregut Vllatko Stojkoski tha se që nga 15 dhjetori ekipe të ISHT-së janë në teren dhe e përcjellin nga afër situatën në treg. Ai tha se inspektorati ka të dhëna dhe analiza të çmimeve të produkteve në 30 ditët e fundit para hyrjes së masës në fuqi dhe se ulja prej 10% e më shumë duhet të llogaritet në çmimin më të ulët të 30 ditëve të fundit.
VLLATKO STOJKOSKI, DREJTOR I INSPEKTORATIT TREGTAR SHTETËROR
“Në këto 6 ditë inspektorati tregtar shtetëror është në terren dhe po monitoron situatën si në markete si dhe tek prodhuesit, mund të them që përveç disa vërejtjeve dhe korrigjimeve të çmimeve tek 2 apo 3 subjekte tregtare, parregullsi nuk janë vërejtur. Tregtarët po e respektojnë marrëveshjen”.
Ministri i ekonomisë dhe punës Besar Durmishi apeloi tregtarët që ta respektojnë masën deri më 15 janar, ditën kur masa skadon.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/