(VIDEO) Durmishi: Po respektohet vendimi për ngrirjen e çmimeve të pajisjeve shkollore për nxënësit
Me fillimin e vitit shkollor u soll vendim për ngrirjen e çmimeve të pajisjeve shkollore në tregje për nxënësit, 10 për qind për shitjet me shumicë dhe 5 për qind për shitjet me pakicë. A po respektohet kjo masë për uljen e çmimeve apo jo, sot ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, bashkë me Inspektioriatin e Tregut ka bërë kontrolle nëpër tregje. Ministri i Ekonomisë, deklaroi se pas kontrollit të dy librarive është vërejtur se po respektohet vendimi.
Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë
“Sot së bashku me inspektorët e tregut dolëm në terren dhe vizituam dy librari të cilët pamë nga afër a e kanë realizuar vendimet të cilët i kemi marrë në Qeveri apo a i kanë ndryshuar çmimet të cilët duheshte t’i bëjnë dhe informacionet që na vijnë nga terreni janë që çmimet janë ndryshuar. Ata vazhdojnë punën në qytetin e Shkupit më pastaj të vazhdojnë edhe në të gjithë qytetet tjera, kështu që të jemi të siguruar që kjo masë do të realizohet në tërë shtetin tonë”
Durmishi shtoi se përveç kësaj Ministria e Ekonomisë dhe Punës, bashkë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Financave ka krijuar një grup pune ku për 100 produkte ushqimore si oriz, fasule, fruta dhe shumë të tjera, do të bëhet një simulim dhe do të bëhet një limit çmimi prej 5, 10 ose 15%.
Për këtë, Durmishi theksoi se simulimi duhet të japë informacion se cila do të jetë zgjidhja më e favorshme për çmimet përfundimtare për konsumatorët dhe cilat do të jenë implikimet fiskale të kësaj mase. Më pas, propozimi dhe simulimi i shportës së konsumit të vjeshtës shtoi Durmishi, do t’i dërgohet Qeverisë në seancën e ardhshme dhe do të merret vendimi për uljen e çmimeve të këtyre produkteve bazë ushqimore.
Merxhane Iseni /SHENJA/