(VIDEO) Durmishi: Paga minimale të bazohet në rritjen ekonomike
Maqedonia e Veriut nuk është vendi me pagë minimale më të ulët në rajon, kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili për më tepër deklaroi se është i pashmangshëm fakti se e njejta duhet të rritet. Shtoi se si Ministri janë kundër rritjes ad-hok të rrogës minimale sepse sipas Durmishit, një rritje e tillë do të rriste inflacionin dhe do të krijonte vështirësi ekzistenciale për kompanitë e vogla dhe të mesme.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË
“E kam potencuar disa herë se nuk jemi me pagë minimale më të vogël në rajon. Ka vende të tjera siç është Bullgaria, është Turqia, është Shqipëria është Kosova,, do e shohim pas vitit të ri, por tani për tani nuk jemi me rrogë më të vogël në rajon. Është fakt që duhet të punojmë që paga minimale të rritet, por të jetë e qëndrueshme duke u bazuar në rritje ekonomike dhe jo të ketë rritje ad-hok siç ka ndodhur në të kaluarën”.
Foli edhe për shportën konsumatore që do të përllogaritet nga janari i vitit 2026-të. Durmishi njoftoi se strategjia e përllogaritjes së shportës mesatare është përgatitur dhe tani presin propozime dhe vërejtje nga anëtarët e Këshillit Ekonomik, Social, konkretisht sindikatat dhe punëdhënësit
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË DHE PUNËS
“Në qoftë se do të kemi ndonjë vërejtje do ta disktuojmë nëse duhet përmirësuar ose jo. Nëse do të kemi ndonjë propozim do të ulemi dhe do ta shqyrtojmë. Nëse nuk ka diçka të tillë do ta finalizojmë dhe nga viti që vjen do të fillojmë të bëjmë përllogaritje të shportës mesatare konsumatore që do të jetë reale, e bazuar në të dhëna të institucioneve relevante ku të dhënat merren nga enti shtetëror statistikor”.
Siç njoftoi Durmishi nga janari i vitit 2026, plani Operativ për masat aktive të Punësimit, do të ketë buxhet prej 2.39 miliardë denarë dhe do të bazohet në analizën e detajuar të rezultateve të vitit 2025. Sipas Durmishit, plani operativ do të kenë për qëllim luftën e ekonomisë së zezë po edhe punësimin më të madh të të rinjëve në sektorin e prodhimtarisë, teknologjisë dhe sferave tjera.
Mevludin Imeri /SHENJA/

