(VIDEO) Dorëzimi i Grubit, reagojnë partitë politike

(VIDEO) Dorëzimi i Grubit, reagojnë partitë politike

Dorëzimi i ish zv/kryeministrit, Artan Grubi, nuk ka kaluar pa reagime as edhe nga partitë politike në vend. Ish partia e tij BDI, përshëndet vendimin e Grubit për t’u kthyer në vend. “BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin, se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike”, theksohet në komunikatë.

BDI

“Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale”.

Ndërkohë, nga koalicioni VLEN theksojnë se rikthimit të Artan Grubit, më së shumti i frikësohet BDI.  Ata pyesin se cilin  prej BDI-së, Grubi, do ta ngreh me vehte?!

VLEN

“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi”.

Për dorëzimin e Artan Grubit, janë përplasur edhe partitë politike maqedonase. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, kthimin e Artan Grubit në vend e ka quajtur si teatër politik dhe e konsideron si një marrëveshje politike.  Sipas saj, me këtë, BDI po e shpëton Mickoskin.

BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE E LSDM-SË

“Ashtu siç ranë dakord ta lironin, tani kanë rënë dakord ta kthejnë. Në këtë mënyrë, VMRO-DPMNE, me mbështetjen e BDI-së, dëshiron të mbulojë skandalin më të madh të drogës me 5 tonë drogë që çon në majën e Qeverisë së Mickoskit. Por edhe skandalet e shumta me tenderët kriminalë për të cilët nuk ka pasur përgjigje për më shumë se 80 ditë”.

Ndërkaq, Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE,  tha se LSDM-ja është nervoze dhe e frustruar, sepse Artan Grubi u arrestua dhe  siç tha ai, mund të zbulojë informacione rreth aferave dhe krimeve të Zaevit, Filipçes dhe Spasovskit.

BRANE PETRUSHEVSKI, VMRO-DPMNE

“E kuptojmë SDS-në, ata janë nervozë dhe të frustruar sepse Artan Grubi u arrestua dhe tani mund të zbulojnë informacione rreth aferave dhe krimeve për të cilat kanë punuar së bashku me Zoran Zaevin, Vice Zaevin, Oliver Spasovskin, Venko Filipçen. Kjo është arsyeja pse SDS-ja po përpiqet të fshehë gjurmët dhe në këtë mënyrë të shpëtojë veten”.

Petrushevski tha se Artan Grubi  konsiderohet si personifikim i krimit dhe korrupsionit të udhëhequr nga LSDM dhe BDI, por më në fund, ai tha se  do të përballet me drejtësinë.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING