(VIDEO) Doganat sekuestruan një autobus me targa të Kosovës

Drejtoria e doganave njoftoi se doganierët kanë sekuestruar një autobus me targa të Kosovës, i cili ka bartur rregullisht udhëtarë në linjën Stamboll-Prishtinë. Autobusi ka qenë i konstruktuar, përshtatur dhe personalizuar posaçërisht për qëllime të fshehjes së mallit. Rasti është zbuluar nga doganierët në hyrje të vendit në pikën kufitare Deve Bair.
DREJTORI DOGANORE
“Gjatë kontrollit në pjesën e hapsirës së bagazhit të autobusit, në pjesën e sipërme duke hequr vidhat në një dërrasë druri, u zbulua një hapësirë që nuk ishte e fabrikuar dhe ishte zgjatur me 10 cm në të gjithë gjatësinë e bagazhit të autobusit, e cila përfaqëson një ndarje (bunker). Autobusi është sekuestruar, ndërsa kundër shoferit të autobusit, shtetas i Kosovës, për shkelje të rregullave doganore do të bëhet kallëzim përkatës në gjykatë”.
Ndërkaq, siç informojnë nga Drejtoria Doganore, në një rastë tjetër, janë sekuestruar mbi 500 veshje me firma e markave të famshme për shkak të dyshimit për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale, si dhe janë sekuestruar 75 komplete tuta me marka të mbrojtura tregtare që janë gjetur në një kamion me targa të Turqisë, i ngarkuar me mall me origjinë nga Turqia të destinuara për importues nga Kosova. Akti i shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale është zbuluar nga doganierët në hyrje të vendit në pikën kufitare Dojran.
Samir Mustafa /SHENJA/