(VIDEO) Dogana konfiskoi vaj nga fara e zezë, lodra, veshmbathje dhe fibroskopë
Pjesë për celularë, vaj të farës së zezë, lodra, mjete shkollore, fibraskopë për qëllime industriale, rroba, këpucë, skuter, vegla elektrike, si dhe produkte nga marka të mbrojtura janë pjesë e mallrave të sekuestruara nga doganierët gjatë një jave. I gjithë malli është sekuestruar në pikat hyrëse kufitare në vend, por edhe gjatë kontrollit nga ekipet mobile doganore.
Nga drejtoria e doganave sqaruan se në vendkalimin kufitar “Bllacë”, në një veturë të drejtuar nga shtetas i Maqedonisë së Veriut, janë gjetur 16,5 litra vaj të farës së zezë dhe 1.250 kapsula me vaj të farës së zezë. Në të njëjtin vendkalim kufitar, janë gjetur 682 maska për telefona celularë, si dhe 61 kabllo, 10 kufje, mbajtëse, karikues dhe fletë xhami për celularë, të cilat ishin fshehur në veturën e drejtuar nga shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa në një autobus që udhëtonte nga Dortmundi, doganierët në vendkalimin kufitar Tabanovc gjetën në çantën e një pasagjeri 21 fibraskopë për qëllime industriale, si dhe këpucë dhe radio makinash. Ata theksuan se tentativat për kontrabandim janë parandaluar.
Drejtoria e Doganave
“Në Tabanoc është parandaluar tentativa për kontrabandim të rrobave, këpucëve, skuterëve dhe veglave elektrike, ndërsa malli është zbuluar gjatë kontrollit të kamionit me targa bullgare i drejtuar nga shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndaj të cilit është ngritur procedurë përkatëse”.
Nga ana e ekipit mobil, janë zbuluar 80 pako me shirit vulosjeje në një autobus me targa të Maqedonisë së Veriut, i cili udhëtonte në linjën Zvicër-Maqedoni, i cili ishte regjistruar për hyrje në vendkalimin kufitar “Tabanovc”.
Ndërkaq, javën e kaluar doganierët nga vendkalimi kufitar “Bogorodicë” kanë parandaluar kontrabandën e 55 veshjeve të cilat janë gjetur në çantat e udhëtimit të ngarkuara në veturë. Në këtë vendkalim, në një veturë në të cilën udhëtonte një çift i martuar nga Serbia, u gjetën 840 tufa metalike për tuba hidraulike.
Gjatë kontrollit të mallit të deklaruar për zhdoganim në njësinë doganore “Shkup 3” dhe “Kumanovë”, ekipet mobile në tre raste të ndara kanë konfiskuar gati 3.000 lodra, mjete shkollore dhe 50 kufje Bluetooth me marka të njohura tregtare.
Anida Murati /SHENJA/