(VIDEO) Djegia e spitalit modular, ish-drejtorët dënohen me nga një vit e gjysëm burg

(VIDEO) Djegia e spitalit modular, ish-drejtorët dënohen me nga një vit e gjysëm burg

Gjykim tjetër, por dënim i njejtë. Rigjykimi për spitalin modular rezultoi me 3 vite burg për 14 jetët e shuara, gjegjësisht dy drejtorët e spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe Artan Etemi, u denuan me nga 1 vit e gjashtë muaj burg. Dallimi nga gjykimi paraprak është vetëm se i njejti denim ishte me kusht, kurse tani është burg efektiv. Ndërsa spitali klinik i Tetovës si subjekt juridik, ashtu si herën e kaluar, u denua me 1 milion denarë, të cilën shumë obligohet ta paguaj në afat prej 30 ditësh, pasi vendimi të bëhet i plotëfuqishëm.

MARKETING

Familjarët e viktimave nuk janë të kënaqur nga ky vendim, ashtu siç nuk ishin as në gjykimin paraprak. Mumin Ismaili thotë se të akuzuar në këtë rast duhej të ishin edhe ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Koço Angjushev.

Mumin Ismaili, familjar i viktimave

Ne si familjarë nuk jemi të kënaqur me vendimin që e mori gjykatësi për 1 vit e 6 muaj. Ne kemi thënë dhe do ta themi se në rastin e spitalit duhej të ishin të akuzuar edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe Angjushevi dhe kompania ‘Bako’, instalimi i rrymës, edhe ai ka përgjegjësi”.

Emshi Ibin, familjar i viktimave

Ndjehem i turpëruar të dal prej gjykatës për 14 persona që vdesin, të denohen me 1 vit e 6 muaj, nuk di as vetë çfarë të them. Ky shtet nuk bëhet asnjëherë”.

Kjo nuk është drejtësi. Kështu thotë i denuari Florin Besimi, ish drejtor i spitalit të Tetovës. Sipas tij është shmangie nga e vërteta dhe fajtorët e vërtetë.

Florin Besimi, ish drejtor i spitalit të Tetovës

Ngase shprehem se ky gjykim nuk synonte të nxjerr në pah të vërtetën e kësaj tragjedie, të zbuloi arsyet e zjarrit, e as përgjegjësit për ndërtimin e një objekti që u dogj si letër, si dhe nuk shqyrtoj se kush lejoi që jeta e njerëzve të vihej në rrezik. Jo. Ky gjykim u kthye në një gjueti faji ndaj atyre që nuk kanë pasur as fuqinë, as përgjegjësinë për këtë tragjedi“.

Mua më akuzuan për mungesë të aparateve për zjarr, a në fakt unë në thelb kam qenë kundër këtij objekti dhe kam refuzuar të pranoj objektin”.

Valon Abdulhamiti, avokat i spitalit të Tetovës

Si pasojë e konstatimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të dispozitave të ligjit për procedurë penale dhe të Kodit Penal, kundër këtij vendimi në kohë do të deponojmë ankesë pranë gjykatës së Apelit”.

Drejtorët Besimi dhe Etemi, akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti shkoi në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë.

Më 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

MARKETING