(VIDEO) “Dhoma gazi për shqiptarët”, MPB ka marrë në pyetje disa persona

Disa persona të dyshuar lidhur me incidentin e ndodhur në Kumanovë për thirrjet antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit, janë marrë në pyetje nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë njoftuar nga MPB për TV SHENJA. Nga atje thonë se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.
MPB
“Në sektorin e punëve të brendshme në Kumanovë janë marrë në pyetje disa të dyshuar me të cilët janë zhvilluar biseda zyrtare dhe pas analizave në kordinim me Prokurorin Publik, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë gjithashtu do të ketë edhe procedura penale”.
Edhe nga Prokuroria Themelore Publike kanë bërë të ditur se procedura hetimore është duke u zhvilluar dhe se janë duke u analizuar të dhënat në mënyrë që të gjinden shkaktarët e këtij incidenti.
Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut për thirrje raciste dhe gjuhë të urrejtjes parashihen dënime në disa nene, ndërkaq më i rëndësishmi është neni 319, i cili thotë se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/