(VIDEO) Dështon aksioni i MPB-së për kapjen e të dyshuarit për dy vrasje
Zyrtarë policorë mbrëmë rrethuan fshatin Batincë, fshat në periferi të kryeqytetit me qëllim arrestimin e Musa Xhavit i cili dyshohet se ka kryer dy vasje brenda një viti.
Detaje për aksionin ka dhënë Ministria e Punëve të Brendshme nga ku thonë se për Musa Xhavit-in është lëshuar fletëarrest kombëtar dhe ndërkombëtarë.
Sipas MPB-së, para ndërmarrjes së aksionit, policia dispononte informacione operative të besueshme për vendndodhjen e të dyshuarit.
MPB
“Pas marrjes së një informacioni paraprak, shërbimet policore kompetente pranë MPB-së, kanë vepruar në zonën e Shkupit, me qëllim arrestimin e një personi ndaj të cilit është lëshuar fletarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për vepra të rënda penale”.
MPB sqaron se aktivitetet vazhdojnë në terren me qëllim gjetjen dhe arrestimin e personit.
Vepra e fundit e cila rëndon mbi të, u regjistrua në hyrje të fshatit Batincë ku i dyshuari me dy të shtëna nga një armë zjarri, la të vrarë një 50-vjeçar, pjesëtar i Armatës së Republikës së Maqedonisë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të ditës, para syve të vajzës së viktimës, ndërsa ata po udhëtonin me automjet, duke e bërë rastin edhe më tronditës për opinionin publik.
Edhe pse lidhet me vepra të rënda penale, deri në qershor të vitit 2024 i dyshuari kishte vuajtur vetëm një dënim me burg, dhe atë për posedim të paligjshëm të armëve. Vetëm një muaj pas lirimit nga burgu, ai kreu vrasjen e parë.
Mevludin Imeri /SHENJA/

