(VIDEO) Dështimi për zgjedhjen e kryetarit të këshillit paralizon Komunën e Strugës

(VIDEO) Dështimi për zgjedhjen e kryetarit të këshillit paralizon Komunën e Strugës

Komuna e Strugës po përballet ende me bllokadë institucionale për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të Këshillit komunal. Edhe pse seanca konstitutive u mbajt më 14 nëntor, asnjë kandidat nuk mori shumicën e nevojshme prej 12 votash nga gjithsej 23 këshilltarë. AKI ka grupin më të madh me 8 këshilltarë, ndërsa partitë qeverisëse VMRO-DPMNE (6) dhe VLEN (4) nuk kanë shumicë dhe kanë mosmarrëveshje mes tyre. Tre këshilltarë të pavarur, të lidhur me ish-kryetarin Ramiz Merko, shpesh janë faktor vendimtar.

Përkohësisht, seancat po thirren nga këshilltari më i vjetër, Nafi Jonuzi (VLEN), bazuar në ligj, por VMRO-DPMNE kundërshton mbajtjen e seancave të rregullta pa u zgjedhur kryetari i Këshillit. Për shkak të kësaj, VMRO-DPMNE dhe këshilltarët e pavarur bojkotuan seancën e 10 dhjetorit, ku në fund u miratua vetëm një pikë urgjente për shpërndarjen e fondeve për arsimin fillor.

Opozita (LSDM dhe AKI) e konsideron situatën si rezultat të pazareve politike dhe mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës, duke paralajmëruar se qyteti po mbahet peng i interesave partiake. Nga ana tjetër, kryetari i komunës, Qyra, mohon kërkesa joparimore dhe shpreh pritjen që partnerët e koalicionit të gjejnë së shpejti një marrëveshje.

Kryetari i Komunës, Mendi Qyra, ditë më parë akuzoi Aleancën Kombëtare për Integrim se, ka bërë koalicion të fshehtë me LSDM-në dhe listën e këshilltarëve të Ramiz Merkos, me qëllim paralizimin e punës së këshillit. Ai paralajmëroi se, nëse bllokadat vazhdojnë do të kërkojë të shkohet drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme për këshillin komunal, për çka tha se, ekziston dakordësi mes partive të shumicës. Por AKI i ka quajtur të pabaza akuzat e Qyrës.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, këshilli i komunës mund të shpërndahet me vetëiniciativë nëse për këtë deklarohet shumica e anëtarëve të tij. Shpërndarja e këshillit mund të ndodhë gjithashtu nëse ai miraton përsëri një dispozitë që më parë është anuluar ose ndërprerë nga Gjykata Kushtetuese, sjell vendime që rrezikojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës, nuk mblidhet për më shumë se 6 muaj ose nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri më 31 mars të vitit vijues.

Mevludin Imeri /SHENJA/

MARKETING