(VIDEO) Deputetët e “Taravarit” dalin nga VLEN, nis dorëheqja e ministrave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari e dorëzoi në qeveri dorëqjen e tij nga ky post, pasi partia e tij, vendosi që të braktisë qeverinë. Taravari pret që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe kuadrot e tjerë të kësaj partie që kanë funksione publike.
MARKETING
Arben Taravari
“Me këtë letër ju informoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.Detyrën që e mora me këtë funksion e kam ushtruar me përkushtim të plotë, transparencë dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe shtetit. Këtë vendim e kam marrë pas një vlerësimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se ky hap është në interesin më të mirë të institucionit dhe të parimeve të mia personale”.
Taravari në letrën e dorëheqjes që ia ka dërguar kryeministrit Hristijan Mickoski thotë se mbetem i hapur për bashkëpunim dhe mbështetje në të ardhmen, gjithmonë i udhëhequr nga interesi publik.
Ndërsa Kryeparlamentari Afrim Gashi, ka sqaruar sot, procedurat për shkarkimin dhe më pas zgjedhjen e një anëtari të Qeverisë.
Afrim Gashi, Kryeparlamentar
“Deri më tani nuk kemi informatë apo paralajmërime. Në momentin kur do të kemi dorëheqjen e dorëzuar në formë të shkruar, atëherë siç është e paraparë me rregullore, do të presim propozim nga kryeministri për konstatimin e dorëheqjes dhe më pas fillojmë procedurën për zgjedhjen e ministrit të ri
Tani për tani mbetet e paqartë nëse, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai do të jap dorëheqje, i cili ende nuk ka dhënë një qëndrim konkret në lidhje me këtë, ndërsa nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e fundit partiak, ku u mor vendimi për dalje nga qeveria. Nga ana tjetër, deputetët e Aleancës për Shqiptarët edhe zyrtarisht kanë dal nga koalicioni VLEN.
Kuvendi i RMV-së
“Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, sot është njoftuar zyrtarisht për ndryshimet në përbërjen dhe strukturën udhëheqëse të Grupit të deputetëve të VLEN-it. Koordinator i Grupit të deputetëve të VLEN-it është emëruar deputeti Bekim Qoku, zëvendëskoordinatorë janë deputetët Merita Kollçi Koxhaxhiku dhe Adnan Azizi. Ndërsa përbërja aktuale e Grupit të deputetëve të VLEN-it është si vijon: Afrim Gashi, Adnan Azizi, Bekim Qoku, Kaltrina Beqiri, Imërlije Saliu, Saranda Imeri, Feride Haxhiu, Merita Kollçi Koxhaxhiku, Bekim Sali”.
Koalicioni VLEN pretendon se, edhe përskaj ndarjes së partisë së Taravarit, mund të priten ndryshime të tjera që do të jenë në favor të VLEN-it. Përkatësisht, ministri i Punës Sociale, pretendon se këtij koalicioni i janë bashkangjitur disa deputetë nga Fronti Evropian.
Fatmir Limani, Ministër i Punës Sociale
“Mendoj se të frontit, gati katër nëse nuk gaboj i janë bashkangjitur shumicës parlamentare e cila përbën qeverinë. Vlerësimi dhe mendimi im është se, deputetët e Aleancës janë më të mirit dhe më të përgatiturit dhe shprespj se do t’i thirrin arsyes dhe do të bëhen bashkë apo do të qëndrojnë në formacionin e Qeverisë”.
Frontin Evropian e përbëjnë pesë parti politike, të cilët kanë 17 deputet në Kuvend. Përkatësisht, Bashkimi Demokratik për Integrim ka 10 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 4 deputetë si dhe Lëvizja e Turqve, Partia Demorkatike Turke dhe Lëvizja Populli që kanë nga një deputetë.
Por, momentalisht VLEN-it ka mbetur me 9 deputetë, me çka shumica parlamentare nuk do të ketë shumicën e badenterit. Por, qeveria është e bindur se do t’i sigrojnë numrat, edhe pas daljes së ASH-së së Taravarit.
Teuta Buçi /SHENJA/