(VIDEO) Deputetët diskutojnë për shkarkimin e Gashit, vetëm Levica dhe LSDM janë “pro”

(VIDEO) Deputetët diskutojnë për shkarkimin e Gashit, vetëm Levica dhe LSDM janë “pro”

Interpelancën ndaj tij, kryetari i Kuvendit e sheh si interpelancë ndaj përkatësisë etnike dhe fetare të tij, dhe siç tha interpelanca shpreh frustrim dhe fobi ndaj gjuhës shqipe. Pasi mbajti fjalimin në foltore, nga debati i seancës për interpelancën e kryeparlamentarit, ai lëshoi sallën dhe seancën e udhëhoqi zëvendësi i tij Antonio Milloshovski.

Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit

“Kjo nuk është interpelancë kundër Afrim Gashit, por është interpelancë ndaj përktësisë etnike fetare të kryetarit të Kuvendit. Kjo nuk është interpelancë ndaj tejkalimit të autorizimeve të Kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë, por është interpelancë ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe angazhim për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Kjo nuk është interpelancë ndaj gjoja shkeljes së së Ligjit për gjuhët, por është interpelancë  që shpreh frustrim dhe fobi ndaj gjuhës shqipe dhe përkatësisë etnike të kryetarit të Kuvendit”.

Edhe Fronti Evropian është kundër interpelancës së Levicës. Deputeti Talat Xhaferi tha se edhe pse kanë vërejtje për punën e kryetarit të Kuvendit, nuk e përkrahin interpelancën për shkak se siç tha konsiderojnë se motivi i saj është përkatësia etnike e Gashit.

Talat Xhaferi, deputet i Frontit Evropian  

“Edhe personalisht, por edhe grupi parlamentar i Frontit Evropian nuk do ta mbështes interpelancën për faktin që konstatojmë dhe të mendimit jemi se motivacioni për këtë interpelancë nuk ka të bëjë me punën e kryetarit, por ka të bëjë me përkatësinë etnike të tij dhe në fakt qëndrimet e qarta të përfaqësueseve të së Majtës në kontinuitet edhe në publik, por edhe këtu në Kuvend, korrespodojnë me atë që kemi konstatuar. Por, s’do mend që kemi vërejtjet e tona për atë çka është puna e deritanishme e kryetarit të Kuvendit”.

Deputeti i LSDM-së përsëriti qëndrimin e partisë së tij, se LSDM është pro kësaj interpelance.

Mile Talevski, deputet i LSDM-së

“Deputetët e LSDM-së  dhe koalicionit do të votojnë pro kësaj interpelance.  Sikur të kishin sadopak respekt, të donin ta ruanin sadopak fytyrën, kjo interpelancë do të vinte nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. Ku është Mickoski sot të thotë se askush nuk është mbi popullin, ligjin dhe kushtetutën, dhe se do të ketë llogari”.

Deputetja e VMRO-së Marija Miteva ju kundërpërgjigj kolegut të saj të opozitës, duke i thënë se është i obsesionuar me kryeministrin Hristijan Mickoskin.

Marija Miteva, deputete e VMRO-DPMNE-së

“Përmes fjalimit tuaj, opinioni pati mundësinë të shoh sa e mërzitshme është Lidhja Social Demokrate, se sa të mërzitshme dhe të vjetëruara janë tezat tuaja dhe se sa nuk keni përparim në asnjë fushë. Aq shumë nuk mund ta riparoni atë pllakë të prishur, saqë në fjalim e keni përmendur kryeministrin 12 herë, numërojini dhe të shihni se sa jeni të fiksuar me Mickoskin dhe se sa nuk ka të bëjë me asnjë interpelancë, por me politikën tuaj të zbrazët”.

Kryetari i Levicës, parashtruesi i interpelancës Dimitar Apasiev në arsyetimin e interpelancës kishte përplot akuza për përcaktimin fetar, etnik të kryetarit të Kuvendit dhe të mënyrës së veshjeve që janë adekuade për femrat e fesë islame.

Dimitar Apasiev, deputet i Levicës

 “Përfaqësues të organizatës joqeveritare kanë veshur  veshje religjioze në Kuvend, posaçërisht ajo Mersiha Smailoviq, e cila është figurë kontraverze dhe ja çfarë thotë Ligji për ndalesë të veshjes së ferxhes, ‘Pas kërkesës së shumicës që të çrrënjoset simboli shekullor i nënshtrimit dhe prapambetësisë së gruas muslimane, që të sigurohet barazi e plotë dhe pjesëmarrje në jetën shoqërore dhe kulturore ndalohet mbajtja e ferxhes dhe çfarëdo lloj mbulese të fytyrës së gruas”

Për të kaluar interpelanca ndaj Afrim Gashit, duhen 61 vota deputetësh. Deri tani që nga pavarësia e vendit, nuk ka kaluar asnjë interpelancë në Kuvend.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING