(VIDEO) Deponia Drislla helmon Shkupin, erë e rëndë në të gjithë zonën

Për të 3 ditë me rradhë zjarret që kanë kapluar disa deponi të vendit janë duke ngulfatur Shkupin. Tymi i cili vjen nga Deponia Drislla në komunën e Studeniçanit, po i pengon banorët e asaj zone të frymojnë lirshëm. Drejtori i drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim Stojançe Angellov deklaroi se në deponinë Drislla ka ende shumë tym ndërsa sa i përket deponisë së Vardarishtes tha se situata atje është më e qetë dhe se nuk ka djegje apo tym.
STOJANÇE ANGELLOV, DREJTOR I DREJTORISË PËR MBROJTJE DHE SHPËTIM
“Për të shkuar në vendin e djegies, duhet të ecësh nëpër një pjesë prej rreth 100 metrash ku, sipas vlerësimit tim dhe sipas asaj që më thanë ekspertët, ka rreth një metër e gjysmë ujëra të ndotura që dalin vetë deponia. Unë besoj se vendi ku po ndodh djegia ka një sipërfaqe ujore, domethënë, e gjithë zona është tashmë e ujshme dhe e përzier me substanca të ndryshme, përfshirë toksina nga vetë deponia”.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu i pyetur lidhur me ajrin e ndotur për shkak të tymit nga deponitë, rekomandoi që banorët e Shkupit të mos dalin jashtë përveç nëse e kanë shumë të nevojshme.
AZIR ALIU, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Së bashku me Institutin e Shëndetit Publik analizuam nëse ka ndonjë lloj ndotjeje që është e dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Era e tymit ndihet dhe nuk është e këndshme. Ajri aktualisht nuk është në një nivel ndotjeje që do të shkaktonte probleme shëndetësore për qytetarët. Unë rekomandoj që qytetarët të mos dalin jashtë nëse nuk është e nevojshme.”
Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur për këtë çështje tha se ky është një problem që zgjat me dekada, të cilit akoma askush nuk ka mundur ti gjejë një zgjidhje. Ai tha se në prag të zgjedhjeve dikush me qëllim e shkakton djegjen e deponive.
Që nga pasditja e djeshme, ajri në Shkup mban erë të fortë gome dhe plastike të djegur për shkak të zjarreve që shpërthyen në disa deponi. Sipas matjeve instrumentale të Ministrisë së Mjedisit, ditën e djeshme në stacionin në Lisiçe është tejkaluar kufiri i grimcave PM10 mbi 50 m³, janë regjistruar grimca PM10, 53.3m³.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/