(VIDEO) Debat në TV Shenja – Aleanca për Shqiptarët, dje, sot dhe nesër
Në emisionin “Debat në Shenja” u trajtua një nga çështjet më të nxehta të skenës politike shqiptare: nëse ajo po i nënshtrohet një reformimi të domosdoshëm apo një deformimi që thellon krizat e brendshme. Ky debat u fokusua veçanërisht te vendimi i fundit i Aleancës për Shqiptarët për t’u larguar nga Aleanca Kombëtare për Integrim, një lëvizje që ka shkaktuar reagime të shumta dhe polemika të gjera në opinion, sidomos pas zgjedhjeve lokale. Për të analizuar këtë zhvillim dhe për të ndarë perspektiva të ndryshme, në studio ishin të ftuar zëdhënësi i ASH-së, nga krahu i Ziadin Selës, Arben Zeqiri, si dhe analistët politikë Sefer Tahiri dhe Xhenur Iseni. Zeqiri bëri të ditur se ASH është tërhequr nga koalicioni AKI, me qëllim që t’i rikthehet punës dhe konsolidimit të brendshëm.
Arben Zeqiri, zëdhënësi i ASH-së, nga krahu i Ziadin Selës
“Mendoj, ashtu si shumica e anëtarëve të kryesisë në mbledhjen e fundit, se është një veprim që realisht duhet ta bëjë çdo parti politike: t’i kthehet vetvetes, anëtarësisë, substancës së vet, të bëjë analizat e duhura dhe të nisë riorganizimin. Ç’do subjekt politik, pas ç’do cikli zgjedhor duhet fillimisht të meret me vetveten”.
Ndërkaq analisti Sefer Tahiri, deklaroi se koalicioni AKI është një bashkim politik i cili nuk mbështetet në parime dhe ide të përbashkëta, por në interesa të ngushta elektorale.
Sefer Tahiri, analist politik
“Nëse ju kujtohet, kam thënë se koalicioni i AKI-së është i panatyrshëm. Është koalicion joparimor,dhe është koalicion i cili nuk bazohet mbi platforma, ide, koncepte dhe filozofi politike, por bazohet mbi pragmatizmin elektoral. Mua më vjen mirë që jam në mesin e dy njerëzve të rinj sepse unë angazhohem për atë që njerëzit të kenë angazhime konkrete politike”.
Ndërkaq analisti Xhenur Iseni në analizën e tij vlerëson se Aleanca për Shqiptarët do të kishte qenë forca kryesore politike dhe do të kishte fituar përballë BDI-së, po të mos kishin ndodhur dy ndarjet e brendshme gjatë dy viteve të fundit.
Xhenur Iseni, analist politik
“E para që dua të them është se Aleanca për Shqiptarët, po të mos kishte kaluar këto ndarje, sot do të ishte forca e parë politike në vend dhe do të fitonte përballë BDI-së si e vetme. Dmth aq shumë goditje kanë ndodhur saqë sot fatkeqësisht, Aleanca për Shqiptarët ka mbetur pa kredibilitet. Aleanca per shqiptarët u përça, u nda dy herë në këto dy vite”.
Ndërkaq sa i përket kësaj çështje të ftuarit ndanë vlerësimet e tyre mbi pasojat politike, prapaskenat dhe ndikimin që ky vendim mund të ketë në konfigurimin e ri të skenës politike shqiptare në vend.
Anida Murati /SHENJA/

