(VIDEO) Debat në Shenja: Mickoski po kërkon territor të pastër

(VIDEO) Debat në Shenja: Mickoski po kërkon territor të pastër

Analisti politik Xhenur Iseni duke komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, e ka cilësuar atë si pjesë të retorikës zgjedhore. Ai gjatë emisionit Debat në Shenja theksoi se me retorikë të këtillë, Mickoski po përpiqet të ruajë kohezionin brenda partisë në prag të kongresit, ndërkohë që përballet me presione të brendshme dhe me rënien e mbështetjes për aleatët opozitarë.

Xhenur Iseni, politolog

E para, mendoj se është në suaza të retorikës zgjedhore, sepse ende jemi në proces zgjedhor. VMRO-ja ende kandidon me kandidatët e saj në balotazh. Duhet ditur që Hristijan Mickoski ka kongres partiak në dhjetor. Krejt kjo ia vështirëson pak punën me llogaridhënien dhe presionet që po i bëhen nga E Majta e Apasievit me humbjen e 140 mijë votave në krahasim me një vit e gjysmë më parë. Ka rënie të dukshme”.

Ndërkaq, gazetarja Teuta Buçi e ka cilësuar retorikën e ditëve të fundit të kryeministrit si një shantazh të drejtpërdrejtë që VMRO e bën ndaj partnerit, pasi koalicionin për zgjedhjet lokale po e interpreton si një favor që ua ka bërë VLEN-it për të fituar në disa komuna.

Teuta Buçi, gazetare

Përshtypja ime është se Mickoski po kërkon territor të pastër. Po tenton të marrë gjithë kontrollin e qeverisë dhe ai të vendosë për gjithçka dhe kjo është deklarata e tij. Në njëfarë mënyrë ai po mundohet dhe po përpiqet të na tregojë se ai është ai që i ka sjellë fitoren VLEN-it në komunat ku kanë fituar dhe në njëfarë mënyrë ta legjitimojë politikën e tij ose rolin e tij arbitrar”.

Kujtojmë se, Mickoski dje u dërgoi një porosi liderëve të VLEN-it, duke thënë se VMRO-ja ka bërë sakrificë sa i përket mbështetjeve të kandidatëve të VLEN-ti dhe në këmbim lanë kërkuar vetëm respekt. Ai tha se, nuk ka marrë respektin e pritur dhe nuk do ta harrojnë këtë. Deklarata e kryeministrit vjen pas asaj të Bilall Kasamit ditë më parë, i cili në një media jashtë vendit, deklaroi se në Kërçovë, do të mbështesin kandidatin shqiptar, pra jo atë të VMRO – DPMNE-së. /SHENJA/

MARKETING