(VIDEO) DASH: Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut të mos ndërhyjnë në gjyqësor

(VIDEO) DASH: Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut të mos ndërhyjnë në gjyqësor

SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, thanë nga Departamenti i Shtetit Amerikan.  Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Politikat Evropiane dhe NATO-n, Spancer Boyer deklaroi për “Zërin e Amerikës”, se SHBA është një nga 5 vendet që ka siguruar ndihmë juridike për mbledhjen e dëshmive për projektin “Shkupi 2014”.

Prokuroria Publike të premten bëri të ditur se janë duke u zhvilluar hetime ndaj 15 personave dhe 7 personave juridike për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash për 11 përmendore nga ku janë pastruar më shumë se 16 milionë euro, para nga buxheti.

DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT

“Lufta kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor është prioriteti kryesor i administratës Biden. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar, çrrënjosjen e korrupsionit, rritjen e transparencës, zbatimin e llogaridhënies dhe forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike”.

Në deklaratë thuhet se “udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojnë rezultate të forta, të prekshme në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke kufizuar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, e cila është thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimin e qytetarëve te qeveria”.

Edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Politikat Evropiane dhe NATO-n, Spancer Boyer, për Zërin e Amerikës në maqedonisht të enjten, tha se është e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe globale që Maqedonia e Veriut të fokusohet në demokraci dhe sundim të ligjit. “Sigurisht, ne kujdesemi për demokracinë dhe sundimin e ligjit në përgjithësi për të gjithë aleatët dhe partnerët tanë. Ne mendojmë se fokusimi në ato gjëra dhe të pasurit demokraci të forta është i rëndësishëm për të pasur sisteme të forta për të qenë elastik, për të kontribuar më gjerësisht në sigurinë rajonale dhe globale. Kështu që kjo është gjithmonë e rëndësishme”, tha Boyer.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING