(VIDEO) DAP-i suspendon inspektorët e dyshuar për skandalin e djegies së diskotekës në Koçan

Drejtoria e të Ardhurave Publike ka suspenduar nga puna inspektorët, emrat e të cilëve u përmenden në raportin e Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL), deri në zbardhjen e plotë të rastit në fjalë, kanë njoftuar nga DAP. Ata thanë se kjo masë është marrë me qëllim të mbrojtjes së integritetit institucional, reputacionit të DAP-IT dhe besimit të qytetarëve.
DREJTORIA E TË ARDHURAVE PUBLIKE
“Një sjellje e tillë përfaqëson një shkelje të rëndë të Kodit të Sjelljes për punonjësit e Drejtorisë së të ardhurave publike (DAP) . DAP mbetet e përkushtuar fuqimisht ndaj parimeve të ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit dhe do të vazhdojë të zbatojë tolerancë zero ndaj çdo sjelljeje që shkel këto vlera. Qytetarët mund të jenë të sigurt se DAP do të vazhdojë të veprojë ekskluzivisht në interes të publikut, me nivelin më të lartë të etikës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies”.
Prokurori publik Ljupço Kocevski ditën e djeshme i pyetur lidhur me këtë tha se mesazhet e publikuara janë vetëm një pjesë e dëshmive që ka prokuroria dhe se ato përmbajnë dhjetëra veprime inkriminuese. Ai theksoi se procedura akoma nuk është e mbyllur.
Të dielën, IRL publikoi një dokumentar për zjarrin në Koçan, në të cilin u paraqiten mesazhet telefonike në mes disa inspektorëve të DAP-IT dhe pronarëve të diskotekës Puls në Koçan, të cilat tregonin bashkëpunimin ndërmjet tyre në dhënien e informacioneve të paautorizuara në lidhje me kontrollet e institucionit në fjalë, pra DAP.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/