(VIDEO) Çmimet e larta dhe bojkoti, Mickoski: Inspektorët janë në të gjithë marketet
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se inspektorët e tregut janë në terren në të gjitha supermarketet më të mëdha, duke bërë analizë të detajuar dhe se sipas gjetjeve fillestare, theksoi ai, ajo që ishte shqetësuese për sa përket çmimeve është në fakt realitet. Ai theksoi se më shumë detaje rreth analizave do të bëhen të ditura të hënën.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Mund të them që jemi fjalë për fjalë në të gjitha supermarketet kryesore dhe po bëhet një analizë e detajuar, më shumë informacione me publikun do të mund të ndaj ditën e hënë. Por mund të them se një pjesë e asaj që na shqetësonte, pra frika jonë, po bëhet e vërtetë dhe realitet, ndaj ne po veprojmë dhe do të vazhdojmë të veprojmë. Ne si qeveri kemi obligim të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve tanë”.
Nga LSDM sot thanë se bojkoti i djeshëm i supermarketeve është një mesazh për qeverinë e Mickoskit, e cila siç thonë ata, nuk arriti t’i mbrojë qytetarët, nuk mori masa në kohë dhe efikase dhe nuk arriti të parandalojë rritjen e çmimeve. Nënkryetarja e LSDM-së Kaja Shukova tha se ndërkohë që qytetarët luftojnë për të paguar faturat e tyre, qeveria mendon të blejë një avion për vete dhe jo vetëm që nuk po bën asgjë për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve, por po punon në mënyrë aktive për ta përkeqësuar atë.
KAJA SHUKOVA, NËNKRYETARE E LSDM-SË
“Qeveria në tetë muajt e fundit ka shkatërruar plotësisht standardin e jetesës së qytetarëve. Çmimet po rriten jashtë kontrollit dhe pagat po ngecin. Qeveria ndjek në heshtje varfërimin e popullit, pa asnjë masë konkrete shpëtimi. Çmimet e produkteve bazë po rriten, shporta e konsumit është rritur për 400 denarë për vetëm një muaj dhe ka arritur shifrën rekord prej 63.000 denarëve, ndërsa qytetarët mezi po ia dalin mbanë”.
Të premten qytetarët e vendit bojkotuan supermarketet për shkak të çmimeve të larta të produkteve ushqimore.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/