(VIDEO) Çështja e sigurisë, Toshkovski: Kemi pas sulme hibride nga çdo anë

“Si shtet periudhën e fundit kohore kemi pasur sulme hibride nga shumë anë dhe në shumë sfera të jetës”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski në konferencën shkencore – “Korrupsioni sistemik – kërcënimi më i madh i sigurisë”. Toshkovski ka pohuar se ka edhe pista hetimesh se nga cilat qendra ndikimi vijnë këto sulme hibride.
PANÇE TOSHKOVSKI – MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Fakt është se në Maqedoni kemi pasur sulme hibride në muajt e fundit, nga shumë anë, në shumë fusha dhe sfera. Ne të gjithë e shohim këtë. Populli e sheh këtë, ju gazetarët e shihni këtë, institucionet e shohin gjithashtu. A po veprojmë? Po, ne veprojmë”.
Megjithatë, ministri nuk zbuloi detaje lidhur me atë se si shteti po vepron kundër këtyre sulmeve.
Veç sulmeve hibride, Toshkovski foli edhe për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 19 tetor. Toshkovski tha se pret zgjedhje të qeta dhe demokratike.
PANÇE TOSHKOVSKI – MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Ministria e Punëve të Brendshme po punon për këtë temë tashmë dy-tre javë. Kemi formuar planin operativ ‘Zgjedhjet viti 2025’. Shërbimet po punojnë në mënyrë aktive, po merren masa për organizimin e procesit zgjedhorë dhe personalisht kam mbajtur mbledhje edhe me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, po përgatitemi dhe po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm që janë në kompetencën tonë. Nga prizmi i sotëm, besoj se do të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike’.
Për sulmet nga qendrat e ndikimit të jashtëm dhe sulmet hibride, në disa konferenca paraprake ka folur edhe vet kryeministri Hristian Mickoski. Ndërkaq, kur jemi tek zgjedhjet mund të potencojmë se nesër pritet të hidhet shorti për ndarjen e numrave që kandidatët dhe partitë do të mbajnë në listat zgjedhore.
Mevludin Imeri /SHENJA/