(VIDEO) Caktohet data, Mickoski do të takohet sy më sy me Kovaçevskin

(VIDEO) Caktohet data, Mickoski do të takohet sy më sy me Kovaçevskin

Kryeministri dhe lideri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i opozitës VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski të mërkurën në orën 11:00 në Klubin e Deputetëve në Shkup do të mbajnë takim lidershipi. Nga Qeveria informuan se  në takim do të diskutohet para së gjithash për vendimet që duhet të miratohen në Kuvend për vazhdimin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për qasjen e shtetit, institucioneve dhe të gjithë aktorëve politikë në drejtim të ndërtimit dhe mbajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se ftesa për takimin e liderëve i është dërguar VMRO-DPMNE-së për të zgjedhur mënyrën dhe formatin në të cilin do të zhvillohet takimi.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Ata merren gjatë gjithë kohës me trillime. Ftesa i është dërguar VMRO-DPMNE-së në çfarëdo forme që duan dhe ata e kanë zgjedhur formatin. Do të diskutojmë dy tema nga të cilat varet integrimi i vendit. Deri më tani, kam thënë se në vend ekzistojnë dy koncepte – një për një Maqedoni evropiane dhe tjetri, i udhëhequr nga e majta, për një Maqedoni të izoluar. Shpresoj se VMRO-DPMNE do ta tejkalojë  veten dhe do ta mbështesë vendimin për integrimin e shtetit”.

I pyetur nëse do të flitet për zgjedhje të parakohshme, Kovaçevski tha se zgjedhjet do të mbahen në afat të rregullt, fillimisht presidenciale dhe më pas zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE thonë se deri në takim Mickoski do të kryejë konsultime të gjëra me grupin parlamentar, koalicionin dhe Komitetin Ekzekutiv të partisë. Nga aty përsërisin se qëndrimi i partisë është se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese dhe se ky kuvend nuk ka legjitimitet për një hap të tillë. Ata thonë se Kovaçevski duhet të pranojë zgjedhje të parakohshme.

Ndërkaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski shpreson se të gjithë deputetët të jenë në lartësinë e detyrës dhe të votojnë për fillimin e procedurës së hapjes së Kushtetutës. Medina Ajeti /SHENJA/

 

MARKETING