(VIDEO) Bullgaria i ankohet BE-së se RMV provokon vazhdimisht

(VIDEO) Bullgaria i ankohet BE-së se RMV provokon vazhdimisht

Ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev, në një letër zyrtare drejtuar kolegëve të tij, ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), shpreh shqetësim për refuzimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut për të zbatuar Marrëveshjen me Bullgarinë dhe për të përmbushur detyrimet e saj, të miratuara në nivel të Unionit. Letra e Georgievit, përveç ministrave të jashtëm të shteteve anëtare, i drejtohet gjithashtu Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallas dhe Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Në letër, Ministri i Jashtëm bullgar përcjell qëndrimin e Sofjes se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në vend që t’i përmbahet dhe të zbatojë paketën e hapave të dakordësuar, e cila do të garantonte anëtarësimin e saj në BE, po ndjek një politikë konfrontimi, akuzash dhe pakënaqësie të vazhdueshme.

Georg Georgiev, Ministri i Jashtëm bullgar

Me shqetësim në rritje po ju dërgoj këtë letër për një temë që po shkakton frustrim në rritje si për vendin tim ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Qeveria e vendit kandidat e ka konsideruar të përshtatshme të ndjekë një politikë konfrontimi, akuzash dhe pakënaqësie të vazhdueshme, kryesisht kundër vendit tim, por gjithnjë e më shumë ndaj vetë Unionit. Në vend që të ndërtojë ura, ajo po përpiqet në mënyrë aktive të na provokojë në veprime që më pas mund t’i përdorë si shembuj për ankesa të mëtejshme, duke shkaktuar një kaskadë problemesh dhe bllokimesh të vetëkrijuara”.

Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, u nënshkrua më 2 gusht të vitit 2017 ish kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Edhe pse atë kohë përmes marrëveshjes u pretendua zgjidhja e kontesteve mes dy shteteve, tetë vite më vonë mosmarrëveshjet janë thelluar dhe janë bërë shkak i bllokadës së rrugës eurointegruese të vendit. Sofja konteston figurat kyçe dhe ngjarjet kyçe të historisë maqedonas. Po ashtu, ajop konteston edhe gjuhën maqedonase duke e thënë se bëhet fjalë për gjuhë të formuar në vitin 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe gjuhës serbe.

Bullgaria kërkon që vendi të fut në Kushtetutë minoritetin bullgar në Shkup, në mënyrë që të heq veton për hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ndërkaq, Qeveria e Shkupit, kërkon garanca nga BE se, pas përmbushjes së këtij kushti, vendi nuk do të përballet me kërkesa të reja nga BE-ja.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING