(VIDEO) BP parashikon rritje ekonomike për 3.5 % dhe inflacion 3,9%
Rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë 3.5 %, kurse norma mesatare e inflacionit do të jetë 3.9 për qind, bëjnë me dije nga Banka Popullore. Sipas tyre, deficiti do të jetë 4.2% nga BPV, që është një zgjerim i deficitit në krahasim me vitin e kaluar.
Siç është shprehur guvernatori Trajko Sllaveski, pamja makroekonomike për ekonominë vendore tregon perspektiva të forta ekonomike dhe stabilizim të mëtejshëm të inflacionit.
Trajko Sllaveski, guvernator
“Projeksionet më të reja makroekonomike për periudhën 2025-2028 tregojnë qëndrueshmëri dhe rritje solide ekonomike. Për këtë vit pritet rritje prej 3.5 %, në periudhën 2026-2028 ajo do të përshpejtohet në 4%. Sa i përket inflacionit, norma mesatare do të jetë 3.9%, kurse në periudhën e mëtejshme do të ndjekë një trajektore të përshtatjes në rënie dhe kthimi drejtë mesatares historike”.
Sipas tij, 9 muajt e parë të vitit 2025, aktiviteti kreditor ka shënuar rritje të fuqishme dhe në këtë mënyrë sipas Sllaveskit pritet të vazhdoj deri në fund të vitit.
Trajko Sllaveski, guvernator
“Në periudhën 2025-2028 priten hyrje neto solide në llogarinë financiare, të cilat do të përdoreshin për financimin e deficitit. Në lidhje me strukturën, pjesa më e madhe e hyrjeve neto pritet të jetë në formën e investimeve të huaja direkte dhe huamarrjes afatgjate të shtetit jashtë vendit. Për gjithë periudhën e projeksioneve pritet rritje e rezervave valutore dhe një nivel i përshtatshëm për ruajtjen e stabilitetin të valutës vendore”.
Nga Banka Popullore thonë se rreziqet kryesore nga mjedisi i jashtëm lidhen kryesisht me efektet e politikave proteksioniste dhe pasigurinë e theksuar në lidhje me politikat e ardhshme tregtare dhe tensionet gjeopolitike. Por, ekzistojnë gjithashtu rreziqe të vazhdueshme nga faktorët e brendshëm, të cilët mund të ndikojnë në kërkesën dhe çmimet në ekonominë vendase.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

