(VIDEO) Besimi: Me rritjen e investimeve do të arrihet norma e rritjes prej 5%

(VIDEO) Besimi: Me rritjen e investimeve do të arrihet norma e rritjes prej 5%

Përmes përshpejtimit të investimeve të përgjithshme si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, do të krijohen vende të reja pune dhe do të përshpejtohet rritja ekonomike, thekson ministri i Financave, Fatmir Besimi në intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën maqedonase. Ministri nënvizoi se buxheti ka ndarë mjete për investime kapitale në vlerë prej 5.3% të PBB-së, që është dy herë më shumë krahasuar me mesataren historike, por edhe se investimet e sektorit privat do të stimulohen përmes programeve. Për përkrahjen e sektorit privat, si dhe popullsisë, në buxhet janë paraparë edhe 225 milionë euro për masat antikrizës.

FATMIR BESIMI, MINISTËR I FINANCAVE

“Presim që në ekonominë e përgjithshme, në pesë vitet e ardhshme investimet aktuale nga 31% – 32%, të rriten në 38% – 39%. Në këtë mënyrë do të krijohen vende të reja pune, por edhe rritja ekonomike do të dyfishohet krahasuar me atë që ishte në të kaluarën, gjegjësisht nga rreth 2.5%, do të presim norma të rritjes prej 5% – rritje mesatare vjetore këto pritshmëri bazohen në angazhimin e Qeverisë për t’i rritur ndjeshëm investimet publike”.

Në lidhje me ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10, ministri i Financave thekson se me përfundimin e tyre, vendi ynë do të bëhet urë lidhëse e rrugëve evropiane, e korridoreve kyçe panevropiane, që është me rëndësi strategjike si për ne, ashtu edhe për të gjithë rajonin. Ky projekt, do ta shumëfishojë përmirësimin e pozicionit ekonomik dhe zhvillimit ekonomik, me efekt prej rreth 2% të PBB-së në nivel vjetor, ose prej 10% të PBB-së gjatë 5 viteve sa do të zgjasë projekti.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING