(VIDEO) Bekteshi: Elektranat kanë harxhuar 42 milionë euro për katër muaj

(VIDEO) Bekteshi: Elektranat kanë harxhuar 42 milionë euro për katër muaj

Fronti Evropian ka akuzuar sot ekipin e sektorit energjetik të Maqedonisë së Veriut se janë joprofesional në punën e tyre. Ish ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi nga radhët e BDI –së theksoi se udhëheqsia e elektranëve të vendit, në vend që të bëjnë përgatitjet për sezonin e ngrohjes, ata nuk kanë rritur kapacitetet e prodhimit dhe as nuk i kanë kalkulimet e duhura sa i përket furnizimit me energensa të ndryshëm. Ai shtoi se elektranat kanë siguruar kredi prej 80 milionë euro me interes prej 4.4%,  që sipas tij, këto mjete  do shfrytëzohen për të importuar energji elektrike.

Kreshnik Bekteshi, përfaqësues i BDI-së

“Nga jotransparenca, jo profesionalizmi i tyre, informojmë qytetarët për të gjitha harxhimet të cilët i kanë bërë elektranët e Maqedonisë së Veriut gjatë këtyre muajve ku sezona e dimrit nuk ka filluar ende ashtu siç duhet. Andaj në muajin gusht janë bërë harxhime vetëm për importin e energjisë elektrike prej 2.259.000 euro. Në muajin shtator janë bërë harxhime prej 5.372.000 euro. Në tetor 4.240.000 euro. Në nëntor plotë 16.183.000 euro. Në dhjetor plot 14.708.000 euro, apo mbi 42 milionë euro gjithsej”.

Gjithashtu ai tha se elektranat kanë shpallur thirrje publike për furnizim me qymyr për 400.000 tonë. Ndërsa sa i përket furnizimit me gaz natyror, Bekteshi tha se elektranat paguajnë 10 euro më shumë që nga dita kur e kanë bërë kontratën me kompaninë Ruse, e harxhimet sipas tij do të jenë rreth 40.000 euro në ditë për muajin dhjetor dhe janar.

Se a pret rritje të çmimit të energjisë dhe sa pret të rritet, Bekteshi theksoi se nuk presin rritje drastike mirëpo duhet të ketë kujdes në kalkulime dhe vendime pasi që ka disa blloqe ku, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve e tejkalojnë edhe bllokun e parë edhe bllokun e dytë.

Merxhane Iseni /SHENJA/

 

 

MARKETING