(VIDEO) Bejta dhe Limani me aktivitete të ndryshme në Gostivar
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka vijuar aktivitetet e fushatës zgjedhore me takime të drejtpërdrejta me qytetarët dhe përfaqësues të esnafit lokal në qytetin e Gostivarit. Në bashkëbisedimet me esnafin, Limani prezantoi disa nga pikat kryesore të programit të tij zgjedhor, duke veçuar masat për nxitjen e sipërmarrjes lokale. Sipas tij, programi parashikon mbështetje financiare për të rinjtë përmes 30 start-up-eve me nga 60 mijë denarë, si dhe përkrahje për nisma biznesore të grave dhe vajzave.
Ndërkohë, kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka zhvilluar takim me banorët e lagjes Mllaki, në kuadër të aktiviteteve të tij zgjedhore, ku ka bashkëbiseduar me qytetarët dhe ka dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimin e lagjes. Sipas Bejtës, banorët kanë përmendur se disa nga investimet e vetme të bëra më herët datojnë nga mandati i mëparshëm i tij, ndërsa k[to projekte nuk janë mirëmbajtur dhe janë lënë pas dore nga autoritetet komunale.
Bejta deklaroi se Gostivari ka nevojë për një qasje më funksionale në menaxhimin e qytetit dhe për investime të barabarta në të gjitha lagjet. Ai theksoi se zhvillimi urban dhe përmirësimi i kushteve të jetesës duhet të jenë prioritet për administratën e ardhshme komunale. /SHENJA/

