(VIDEO) BDI: Toshkovski ka treguar mungesë të plotë profesionalizmi dhe kredibiliteti
Është ironike dhe e papranueshme që Ministri i Punëve të Brendshme, i cili vazhdimisht ka treguar mungesë të plotë profesionalizmi dhe kredibiliteti, të bëjë akuza pa bazë dhe të përpiqet të devijojë vëmendjen nga dështimet e tij të vazhdueshme. Kështu ka reaguar BDI ndaj deklaratës së ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovskit se në incidentet e 28 nëntorit është i përfshirë një ish-kryetar komune i BDI-së.
BDI
“Ky është i njëjti ministër që, një ditë para se të arrestohej një person me aftësi të kufizuara mendore si autor i djegies së makinave në Kumanovë, deklaronte publikisht se kishte “të dhëna operative” për një grup të sofistikuar të organizuar që qëndronte pas sulmit. Si mund të besohet një ministër që ka dëshmuar një paaftësi kaq të theksuar për të trajtuar situata të thjeshta dhe që vazhdimisht shpërndan informacione të pavërteta?”
Ministri Toshkovski për TV Sitel ka deklaruar se shërbimet e sigurisë kanë informacione operative se pas ngjarjeve në Shkup në ditën e festës së flamurit dhe në Kumanovë ku u dogjën automobila dhe një dyqan, kanë qëndruar struktura të larta të BDI-së.
Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm
“Nuk do doja të dal me informacione në opinion, por fakt ështe se ka disa informacione operative se një ish kryetar komunë i BDI-së ka qenë direkt i përfshirë sëbashku me një grup tjetër në pjesën e organizimit të ngjarjeve, por për dallim nga e kaluara kur kishim një ton përndjekjesh politike, tani MPB vepron sipas direktivave të Prokurorisë me fakte dhe prova, nuk shkojmë sy mbyllur si më herët”.
Lidhur me incidentet gjatë festimit të 28 nëntorit, policia ka arrestuar 18 persona. Ndërsa kanë njoftuar se kanë arrestuar edhe autorin e djegies së veturave dhe dyqanit në Kumanovë.
Emine Ismaili /SHENJA/