(VIDEO) BDI: Shqiptarët po diskriminohen rëndë në sektorin e kulturës
“Në kohën kur Ministria e Kulturës dhe Turizmit propagandon rritjen e buxhetit për kulturën, realiteti për shqiptarët është krejt ndryshe”. Kështu është shprehur, Valmir Aziri, nga Sekratariati i Kulturës i BDI-së, i cili theksoi gjithashtu se në vitin 2025, shqiptarët po përjetojnë diskriminimin më të rëndë kulturor të dy dekadave të fundit.
VALMIR AZIRI, SEKRATARIATI I KULTURËS I BDI-SË
“Institucionet që promovojnë kulturën shqiptare janë lënë në margjina dhe janë dënuar me një buxhet minimal! Në total, në të gjitha sektorët kryesorë të kulturës, shqiptarët nuk kanë arritur të marrin as 12% të buxhetit dhe projekteve, duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në shtetin e tyre. Përfaqësimi ndërkombëtar: asgjësimi i pranisë shqiptare”.
Ai thotë se në vend që të mbështesë përfshirjen e artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare, Ministria e Kulturës ka bërë të kundërtën, duke eliminuar shqiptarët nga çdo mundësi për të promovuar artin dhe identitetin e tyre.
VALMIR AZIRI, SEKRATARIATI I KULTURËS I BDI-SË
“245 projekte maqedonase të financuara – shqiptarët vetëm 22 projekte, 40 milionë denarë për maqedonasit – shqiptarët vetëm 3.5 milionë denarë. Ky është një plan i paramenduar për t’i bërë shqiptarët të padukshëm në kulturën ndërkombëtare. Artet vizuale: fshirja e artit shqiptar nga hapësirat publike. 120 projekte maqedonase me 13 milionë denarë. 16 projekte shqiptare me vetëm 1.2 milionë denarë. Për më tepër, Galeria e Arteve në Gostivar nuk ka marrë asnjë investim serioz”.
Sipas Azirit, mungesa e mbështetjes për këtë institucion nuk është rastësi, por një përpjekje e qartë për të ndaluar zhvillimin e artit shqiptar dhe për ta lënë atë në harresë. Përmes këtij trajtimi, siç tha ai, letërsia shqipe trajtohet si një element i parëndësishëm, ndërsa letërsia maqedonase merr financim të pakufizuar.
Anida Murati /SHENJA/